AKTUALITET, 4 Tetor 2017, 20:04

Arrestimi i të fortit të Elbasanit, ja kush e refuzoi përgjimin e Bektashit

Mësohen detaje të reja nga arrestimi i Enea Bektashit, njeriut që goditi makinë e zëvendësdrejtorit të Policisë së Elbasanit, Gjergj Oshafi.

Burime për Tpz.al konfirmuan se për Enea Bektashin dhe Sokol Sanxhaktarin (dhëndrin e kryebashkiakut Qazim Sejdini) ishte kërkuar leja nga prokurori i Elbasanit, Fatmir Lushi, për të përgjuar numrat e telefonave të tyre, si dhe të përgjoheshin me pamje fotografike, filmike dhe video, por  drejtuesi i lartë, Idajet Faskaj e kishte refuzuar, siç shihet edhe në dokumentet ekskluzive të siguruara nga Tpz.al. Në listën e të përgjuarve ishte dhe Kelment Xhaferi, po nga Elbasani.

Por, kur Lushi kërkoi autorizimin e përgjimit nga një instancë më e lartë, erdhi refuzimi.

Me shkresën, nr,939/1, datë 23.08.2017, drejtori Idajet Faskaj jep arsyet se përse nuk mund të realizohej përgjimi.

“Në kuadrin e veprimeve proceduriale lidhur me procedimin penal nr. 1295, viti 2017, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale të vrasjes në rrethana të cilësuar e mbetur në tentativë, prodhimit dhe mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve luftarake dhe shkatërrimit të pronës me dashje, të parashikuar nga nenet 79/dh, 22,278 dhe 150 të të Kodit Penal, autorizimi ttë Prokurorit Z.Fatmir Lushi të datës 10.08.2017 “Për përgjimin në vendet publike”, ju informojmë se nga ana e Sektorit të Forcës së Posaçme, nisur nga dinamika e madhe me shërbime në funksion të procedimeve penale në ndjekje dhe numrit të limituar të ndihmës së specialistëve si pasojë e ndjekjes së grafikut të pushimeve vjetore, është e pamundur kryerja e veprimeve të vëzhgimit të fshehtë të personave dhe mjediseve në këtë periudhë kohore. Duke ju falënderuar për mirëkuptimin! Drejtori, Drejtues i Lart, Idajet Faskaj (vula, firma)

ARRESTIMI

Skuadra operacionale e Cërrikut arrestoi Enea Bektashin, të njohur si anëtar i bandës “Çela” në Elbasan.

Bektashi, i cili u arrestua në një “Audi” të blinduar, ishte miku i dhëndrit të kryebashkiakut të Elbasnit, Qazim Sejdini, Sokol Sanxhaktari.

Arrestimi i sotëm e Enea Bektashit është një sinjali se ndaj krimit të organizuar në vend është nisur një sulm frontal.

/TPZ.AL /