BOTA, 9 November 2026, 15:11

Lufta hibride/ Rusia pas protestave në Francë? Raporti i BE: Shfrytëzoi kaosin për narrativë kundër emigrantëve!

Lufta hibride/ Rusia pas protestave në Francë? Raporti i BE:

Një rrjet i fshehtë rus i dezinformimit dyshohet se shfrytëzoi protestat dhe trazirat e muajit të kaluar në Francë për të fajësuar emigracionin për trazirat dhe për të krijuar perceptimin se qeveria franceze kishte humbur kontrollin e situatës.

Sipas një vlerësimi të brendshëm të Bashkimit Evropian, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, rrjeti i njohur si “Operation Overload” shpërndau video duke imituar mediat perëndimore.

Në disa prej tyre pretendohej në mënyrë të rreme se emigrantët kishin përdhunuar protestues dhe se priteshin sulme terroriste.

Po ashtu, Rusia u përpoq t’i portretizonte liderët në Francë si të dobët dhe autoritarë.

Ndërkohë, një raport i veçantë i Ministrisë së Jashtme franceze evidenton edhe përfshirjen e llogarive në rrjetet sociale të lidhura me Izraelin dhe lëvizjen amerikane MAGA, të cilat përhapën narrativa që e lidhnin trazirën me islamizmin radikal dhe emigracionin.

Sipas raportit francez, dhjetë postimet më të shikuara nga llogari të lidhura me MAGA-n arritën mbi 49 milionë shikime, ndërsa ato të lidhura me zyrtarë dhe influencues izraelitë kaluan 35 milionë shikime, vetëm gjatë periudhës 16-18 tetor.

Ekspertët e cilësojnë këtë aktivitet si një përpjekje për të nxitur frikën dhe përçarjen në shoqëritë evropiane, si dhe për të shtyrë votuesit drejt partive të ekstremit të djathtë.

Megjithatë, raportet nuk kanë gjetur prova se Rusia apo aktorë të tjerë të huaj organizuan ose nxitën drejtpërdrejt protestat.