IDE, 4 November 2026, 10:12

Sa do t'i qëndrojë MAGA-s ndryshimi i shumicës në Kongres dhe Senat?

Sa do t'i qëndrojë MAGA-s ndryshimi i shumicës në

Është e qartë se veprimet e Shtëpisë së Bardhë, edhe përkundër presidentit karizmatik Trump, do t'i nënshtrohen shqyrtimeve të hollësishme nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Kjo vlen posaçërisht për ato veprime që kanë të bëjnë me konfliktet dhe luftërat në të cilat SHBA-ja është e përfshirë apo planifikon të përfshihet.

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë ka krijuar një mjedis shumë më pak konvergjent ndërmjet SHBA-së dhe BE-së në aspektin e sigurisë. Ndërkohë, lëvizja në dy binarë – doktrina amerikane e sigurisë dhe ajo zhvillimore, Western Hemisphere, si dhe MAGA – ka pranuar multipolaritetin e imponuar, në raport me multilateralizmin si vazhdimësi të reformuar.

Përballë konservatorizmit ekstrem, i cili po shënon rritje në shtete si Franca, Gjermania, por edhe në vende të tjera, është shfaqur i ashtuquajturi «Revolucion i majtë», me një spektër të gjerë përbërësish, ku përfshihen elemente të orientuara drejt temave sociale, neomarksiste, madje edhe trockiste e anarkiste, lëvizje të njohura si «Antifa», si dhe grupacione me theks civilizues joperëndimor.

I ashtuquajturi revolucion studentor në Serbi, i cili kulmoi me fitoren e Listës Studentore në zgjedhjet atje, ka trimëruar lëvizje të tipologjive të ndryshme në rajon, siç është rasti në Shqipëri. Nga një lëvizje ekologjiste, e cila shprehte mospajtimin me projektet zhvillimore-turistike konkurruese me disa destinacione bregdetare të rajonit dhe që, sipas organizatorëve, do të ndikonin në ekosistemin e asaj zone, kjo lëvizje mund të lexohet, pa dyshim, edhe si një mini-përplasje ndërmjet administratës së SHBA-së dhe BE-së. Kjo përplasje pasqyron një divergjencë parimore ndërmjet transaksionalizmit dhe përmbushjes së kushteve për integrim në BE. Protesta, ndërkaq, u përthith nga grupacione të ndryshme protestuese, të cilat synojnë marrjen e pushtetit, ngjashëm me ato në Serbi.

Derisa protestuesit në Serbi, gjatë dy viteve të protestave, paskan punuar në projeksione qeverisëse për të konkurruar në procesin e rrëzimit të pushtetit shumëvjeçar, organizatorët e protestave dhe pushteti në Tiranë po refuzojnë dialogun parimor mbi një platformë neutrale, si dhe zgjedhjet eventuale që do t'i jepnin qartësi tërë kësaj zallamahie.

Në këtë kontekst, i ashtuquajturi “Revolucion i majtë” në Evropë e gjen Kosovën përballë protestave për ruajtjen e trashëgimisë së revolucionit historik, pra, për ruajtjen e shtetit të shpallur në vitin 2008. Njëkohësisht, kemi të bëjmë me keqpërdorimin nga ana e Qeverisë të tragjedive familjare mbi baza gjinore, për të shpallur një “Revolucion” të ri, nën sintagmën e disfunksionit sistemik, që po del nga deklaratat dhe verpimet qeveritare dhe megafonët e protestueseve, të nxitur nga presioni publik ndaj shtetit dhe institucioneve shtetërore. Ky proces synon spastrimin e burokratëve dhe teknokratëve, të punësuar në periudhat e mëhershme, por jo edhe marrjen e përgjegjësisë politike, e aq më pak ndërgjegjshmërinë morale apo etike të qeveritarëve.

Si do të reflektojnë rezultatet e zgjedhjeve afatmesme (midterm elections) në SHBA në Kosovë?

Strategjia e Sigurisë Kombëtare 2026 bazohet në qasjen “America First”dhe “Peace through Strength”, të cilat i japin përparësi dominimit në Hemisferën Perëndimore, si doktrinë shtetërore e SHba-së. Por, po ashtu, Kongresi amerikan ka miratuar Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2026 (NDAA), i cili është shndërruar në ligj më 18 dhjetor 2025. Ky akt parasheh, ndër të tjera, ndihmën për vendet e rajonit, përfshirë Kosovën, me synim:

-luftimin e korrupsionit;

-parandalimin e kërcënimeve ndaj paqes dhe trajtimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut;

-zhvillimin ekonomik dhe tregtar rajonal;

-eliminimin e varësisë energjetike nga Rusia;

-krijimin e partneriteteve universitare;

-përkrahjen e liderëve të rinj;

-zgjerimin e Korpusit të Paqes;

-ndërtimin e infrastrukturës së përbashkët në fushën e sigurisë kibernetike;

-“përkrahjen për anëtarësimin e shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO të vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë ende anëtare, për vendet që dëshirojnë një anëtarësim të tillë dhe i plotësojnë kushtet”.

Më sipër rendita disa elemente të rëndësishme ligjore, të cilat përcaktojnë objektivat e SHBA-së.

Kosovës i mbetet t'i përshtatë objektivat e veta me kriteret ligjore të SHBA-së, sepse ato nuk do të ndryshojnë, pavarësisht ndryshimit të balancës së forcave në Kongresin dhe Senatit amerikan. 

Njëkohësisht, Kosovës i mbetet të fillojë, nëse ende nuk i ka nisur, negociatat për pranimin e ndryshimeve në Statutin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, si kusht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, dhe të aplikojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ndërkohë, do të duhet të negociohet që tani, nëse ende nuk ka filluar një proces i tillë, ndryshimi eventual i nevojshëm i ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili do të duhej të ishte rezultat i një dakordimi parimor me BE-në dhe të merrte formën e një marrëveshjeje ndërkombëtare.