AKTUALITET, 5 Tetor 2017, 11:02

Berisha: Koka e meduzës së krimit vetëm Rama, qeverinë s'e zë dhjetori

Berisha: Koka e meduzës së krimit vetëm Rama, qeverinë

Sali Berishës duke folur jashtë kuvendit, u ndal te krimi i organizuar dhe ngjarja e Elbasanit. Berisha u shpreh se koka e meduzës së krimit është Edi Rama dhe se "çdo deklaratë që nuk përmend Ramën nuk është e mjaftueshme". Duket se zoti Berisha i referohet deklaratave të amabsadorit Lu, i cili ndalet tek bandat por jo tek politikanët e lartë.

"Po del e qartë si drita e diellit se Shqipëria është nën sundimin e plotë të drogës, qeveritarëve të drogës, dhe qeveritarëve të krimit." u shpreh Berisha.

Më pas, ai tha se gjendja e krimit në vend është më e rëndë se në Elbasan, duke përmendur Shkodrën si një qytet problematik sa i përket krimit të organizuar.  "Dua t’ju them se ajo që shpërtheu në Elbasan, është më agresive në Shkodër, qytet nga i cili po ikin biznesmenët sepse serial killer dhe trafikantë bëjnë ligjin."

Ndërkohë që kryeparlamentari Ruçi përjashtoi nga seanca e sotme Lulzim Bashën, Berisha deklaroi se Ruçi po përdor metodat e vjetra të policisë sekrete komuniste në drejtimin e Kuvendit.

Sikurse u shpreh Berisha, me këtë mënyrë drejtimi qeverinë e re nuk e zë muaji dhjetor.

“Shumica po tregon se dhjetori, siç e ka nisur, nga frika dhe tmerri, nuk e zë. Kanë frikë nga fjala. Çfarë po kërkon opozita aty? Kërkon që komisioni në dritën edhe të raportit të OSBE-së, të bëjë një diskutim.

"Këta nuk duan diskutim. Gramoz Ruçi po e drejton parlamentin me metodat e vjetra të policisë sekrete hoxhiste. E paralajmëroj të heqë dorë, se janë absolutisht të patolerushme”, ka thënë Berisha./ TPZ.AL /