AKTUALITET, 6 Nëntor 2017, 11:32

Aksioni për ujin/ Rama paralajmëron: Ndëshkime edhe më të rënda se ato për energjinë

Aksioni për ujin/ Rama paralajmëron: Ndëshkime edhe më

Kryeministri Edi Rama bëri sot me dije nisjen e reformës së ujit të pijshëm, në mbledhjen e zhvilluar me kryebashkiakët, prefektët dhe drejtuesit e sektorit, duke paralajmëruar ndëshkime edhe më të rënda se ato për energjinë elektrike.

"Thirrje publike për konsumatorët që furnizohen me ujë, që të vetërregullojnë situatën dhe lidhin kontratat brenda 90 ditëve. Njëkohësisht do të nisë prerja e lidhjeve të paligjshme pa penalizime në këtë periudhë tranzitore, për të vazhduar në shkurt me kontrollin derë më derë dhe penalizimet ligjore për çdo vjedhje të ujit”, tha Rama.

Kreu i qeverisë pranoi situatën e rëndë me ujin e pijshëm duke thënë se megjithëse vendi ynë është i dyti më i pasur në burime ujore në Evropë, ka probleme të mëdha në furnizimin me ujë.

“Në qendrat e banuara uji vjen 4-5 orë, në fshatra vetëm 1 orë në ditë”, tha Rama, ndërsa shtoi se “ndërmarrjet e ujësjellësve janë kthyer në ndërmarrje punësimi”.

Kreu i qeverisë theksoi se: “Në 1 shkurt të vitit 2018, të gjithë ata konsumatorë që do të identifikohen se kanë lidhje të paligjshme dhe sipas ligjeve në fuqi rrezikojnë masa shumë të rënda, shumë më shumë se sa ajo e energjisë elektrike”.

/TPZ.al/