26-vjeçari, Devin Patrick Kelley, është identifikuar si autori i sulmit të tmerrshëm që ndodhi dje në një Kishë të Teksasit gjatë meshës së të dielës.
Për pasojë mbetën të vdekur 27 persona, të moshës nga 5 deri në 72 vjeç, ndërsa u plagosën 20 të tjerë.
Kelley raportohet të jetë shkarkuar nga Forcat Ajrore të SHBA në vitin 2014, pasi ishte dënuar për sulmin ndaj gruas dhe fëmijës së tij. Bëhet fjalë për dy akuza të bazuara në nenin 128 të Kodit të Drejtësisë Ushtarake.
Kësisoj, për shkak të këtyre akuzave ai u shkarkua nga detyra duke përfunduar në qeli, ku vuajti 12 muaj dënim, si dhe iu ulën gradat ushtarake.
I dyshuari u gjet i vdekur në automjetin e tij, vetëm pak kilometra larg vendit të masakrës. Ndërkaq, vijon të mbetet i paqartë motivi që e shtyu të riun të ndërmerrte sulmin ekstrem, që tronditi opinionin publik në Amerikë dhe mbarë botën. /TPZ.al/