AKTUALITET, 29 Shtator 2017, 09:59

Përndiqte dhe terrorizonte të miturën, arrestohet 26-vjeçari në Tiranë

Përndiqte dhe terrorizonte të miturën, arrestohet

Policia e Tiranës njofton se një 26 vjeçar është arrestuar, pasi ka përndjekur një të mitur, 16 vjeçare dhe ka kundërshtuar forcat e policisë. Shtetasi i arrestuar quhet Klauden Muçogllava.

Njoftimi i policise: 

Përndjek shtetasen e mitur dhe kundërshton punonjësin e policisë. Arrestohet 26 vjeçari nga Policia. Gjatë kontrollit fizik i gjendet dhe lëndë narkotike. Shërbimet e Policisë të Drejtorisë Vendore Tiranë, arrestuan shtetasin : - Klauden Muçogllava, 26 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i këtij shtetasi është kryer, pasi prej dy javësh ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme shtetasen e mitur G.M., 16 vjeçe dhe gjatë përballjes me policinë në banesën e kësaj shtetaseje ka kundërshtuar dhe goditur me mjete të forta punonjësin e policisë, shtetasin A.T., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe bllokua në cilësinë e provës materiale 29 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprat penale "Përndjekja", "Kundërshtimi i punonjësit të Rendit Publik" dhe "Prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike", parashikuar nga nenet 121/a, 236 dhe 283 të Kodit Penal.