AKTUALITET, 28 Shtator 2017, 14:33

Lulzim Basha: Policia u poshtërua në Elbasan nga bandat që mbron Edi Rama

Lulzim Basha: Policia u poshtërua në Elbasan nga bandat që mbron

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij në Kuvend u ndal tek krimi i organizuar, ngjarja e fundit në Elbasan dhe atë që ai e quan “kapjen e shtetit nga krimi”.

Basha tha se qytetarët që nuk kanë lidhje me krimin, janë ndierë keq, kur kanë parë si u dhunua dhe poshtërua policia në mes të Elbasanit, nga një bandë. Sipas Bashës, policia nuk hyri brenda magazinës ku u strehuan kriminelët në Elbasan,  sepse ajo magazinë është kështjella e krimit me imunitet dhe gëzon mbështetje dhe mbrojtje qeveritare. "Policia nuk e çan dot atë rrethim." u shpreh Basha.

Basha bëri një përshkrim të gjatë situatës në vend, duke thënë se përgjegjësi kryesor për rritjen e krimit dhe trafikimit të drogës është kryeministri, që sipas tij i pëlqen që herë pas here të "heqi ndonjë vizë".

Kryetari i opozitës, kërkoi largimin e menjëhershëm të Qazim Sejdinit, Gramoz Rucit dhe Fatmir Xhafës, persona të cilët ai i i identifikon me krimin e organizuar.

Në fund të fjalë së tij Basha tha se "Edi Rama duhet të ndalë nga magazina e krimit, ndryshe do ta nxjerrim nga aty bashkë me qytetarët". /TPZ.AL /