SPORT, 5 Tetor 2017, 18:23

Kur Spanja na shkatërronte 9-0! Po, nesër...

Kur Spanja na shkatërronte 9-0! Po, nesër...

Gjashtë ndeshje me Spanjën, gjashtë humbje. Më e thella 9-0. Një takim i luajtur në Sevilje, më 19 dhjetor 1990.

Kjo konsiderohet edhe si humbja më e thellë në një ndeshje zyrtare të Kombëtares A. Në stol ishte trajneri Bejkush Birçe.

Gjithsesi, kanë kaluar jo pak, por gati 27 vjet qysh atëherë. Tani realiteti është ndryshe.

Nëse atëherë në skuadrën kuqezi ishte vetëm një lojtar që luante në kampionatet e huaja – Hysen Zmijani me Azhkasion në Korsikë – tani thuajse të gjithë lojtarët aktivizohen jashtë Shqipërisë, për të mos harruar se tani Përfaqësuesja ka lojtarë që kanë lindur edhe në Kosovë, Zvicër, Itali, Maqedoni, madje edhe në Spanjë, siç është rasit i Ivan Balliut.

Statistikat kundër kampionës së Botës dhe Europës janë të hidhura, me vetëm dy gola (Muça, Kushta) dhe 26 të pësuar, përfshirë edhe dy rrjetat e marra në “Loro Boriçi”, në takimin e fundit midis dy vendeve në 9 tetor të vitit të kaluar.

Atëherë në babnkinën e Shqipërisë ishte italiani Xhani De Biazi, ndërsa në Alikante do të jetë një tjetër italian: Kristian Panuçi.

Ish-lojtari i Reali i Madridit e ka të qartë: nuk ka se çfarë të humbasë, prandaj i ka motivuar lojtarët për një ndeshje prestigji./Dash Frashëri/TPZ.AL/