SPORT, 4 Tetor 2017, 13:45

Dëshira dhe ëndrra e Ramadanit: Fitorja ndaj Islandës dhe fanella e Kombëtares A

Dëshira dhe ëndrra e Ramadanit: Fitorja ndaj Islandës dhe fanella

Sërish përballë Islandës. Por, kësaj radhe jo në Reikjavik, atje ku më 4 shtator arritëm një fitore të “çmendur” 2-3, por në Elbasan, në sfidën e dytë me ishullorët.

Shqipëria U-21 nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi po përgatitet intensivisht për sfidën e katërt në grupin B të eliminatoreve të Euro 2019 të asaj moshë, ndërkohë që nga tri ta parat i ka provuar të gjitha shijet e mundshme: fitoren 3-2 me Islandën, barazim 0-0 me Estoninë dhe humbje 1-0 me Irlandën e Veriut.

Përpara mediave kanë dalë Ylber Ramadani, i cili luan në Danimarkë me Vejle Boldklub (Liga 2) dhe Kristal Abazaj që po shkëlqen me Luftëtarin, dy nga yjet e rinj të Shpresave.

Jemi paraqitur mjaft mirë, edhe pse në dy ndeshjet e para na ka munguar fati. Prej fillimit të Europianit objektivi ishte vendi i dytë, ose vendi i parë. Kemi lojtarë shumë të mirë në ekip që mund ti shërbejnë edhe Kombëtares A, por është trajneri që i merr vendimet”, tha kosovari Ramadani, që thekson se Islanda është favorite përpara nesh.

“Gjithsesi, - shton ish-lojtari i Partizanit, - ne do të hyjmë në fushë që të japim maksimumin dhe të marrim rezultat. Gjithashtu i ftoj të gjithë tifozët të vijnë në stadium se janë forca jonë”.

Ramadani foli edhe për situatën e vështirë që po kalon Partizani në kampionat, ku renditet në vendin e fundit, dhe për më tepër me asnjë fitore në katër ndeshje, edhe pse ka një staf tërësisht italian, ku spikat trajneri Mark Juliano, një ish-kampion me Juventusin.

“I kam ndjekur të gjitha ndeshjet e kampionatit shqiptar. Më vjen keq që Partizani është në këtë gjendje dhe besoj se do të kthehet shumë shpejt aty ku e ka vendin. Te Partizani kam kaluar një pjesë shumë të bukur të karrierës, kam luajtur në Champions dhe Europa League. Me djemtë kam kaluar gjithashtu mjaft mirë, dhe nuk mund të harroj vlerat e presidentit”, tha Ramadani, i cili vlerësohet shumë nga trajneri i Vejles, Adolfo Sormani, edhe ky një ish-te Partizani./Dash Frashëri/TPZ.AL/