AKTUALITET, 11 Tetor 2017, 15:39

Vizita në Kosovë, Thaçi dekoron Metën me “Urdhrin e Pavarësisë”

Vizita në Kosovë, Thaçi dekoron Metën me “Urdhrin e
Presidenti i Republikës, Ilir Meta u nderua gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në selinë e Presidencës së Kosovës me Dekoratën e lartë “Urdhri i Pavarësisë” me këtë motivacion: “Për kontribut të lartë për pavarësinë e Kosovës.” Presidenti Thaçi vlerësoi kontributin personal të Presidentit Meta, angazhimin prej afro tre dekadash për Kosovën në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të popullit të Kosovës dhe të përmbushjes së aspiratës për pavarësi gjithashtu edhe për njohjet e mëtejshme ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. “Kjo dekoratë është një surprizë e veçantë, por e marr si një vlerësim për gjithçka që qytetarët e Shqipërisë kanë bërë në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Dhe njëkohësisht duke e pranuar me shumë përgjegjësi këtë dekoratë, dua të zotohem këtu për angazhimin e mëtejshëm në forcimin e pavarësisë, rritjes së njohjeve të saj ndërkombëtare dhe realizimit të aspiratës së perspektivës evropiane, tërësisht të prekshme të saj dhe të gjithë rajonit, sepse perspektiva evropiane e Kosovës është tepër e rëndësishme për të ardhmen e rajonit tonë.” – u shpreh Presidenti Meta. Me herët, Thaçi dhe Meta nënshkruan një dokument, përmes së cilit janë dakorduar për shumë çështje me rëndësi për të dyja vendet. Në këtë dokument, të dy presidentët ranë dakord që të përshpejtojnë proceset e integrimit të të gjitha vendeve të rajonit që dëshirojnë të anëtarësohen në BE dhe NATO. Hartimin e një dokumenti strategjik për anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE dhe NATO. Liberalizimin sa më të shpejtë të vizave ndërmjet BE-së dhe Kosovës, si dhe angazhimin e Kosovës që të bëjë çdo përpjekje të zgjidhë në mirëbesim dhe mirëkuptim çështjet që lidhen me marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. /TPZ.al/  

DEKLARATË E PËRBASHKËT E PRESIDENTËVE

TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË KOSOVËS

MBI MARRËDHËNIET VËLLAZËRORE E TË PARTNERITETIT STRATEGJIK

Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Të udhëhequr nga parimet dhe vlerat evropiane, Duke i qëndruar qëllimit të përbashkët për konsolidimin e lirisë, paqes, stabilitetit, dhe begatisë në të dy shtetet dhe në rajonin ku bëjnë pjesë, Të bindur në përfaqësimin më të mirë të interesit strategjik të qytetarëve të të dy shteteve për integrim në familjet evropiane dhe euro-atlantike, Me besimin se “politika e zgjerimit” dhe e “dyerve të hapura” për rajonin mbeten katalizatorë të sigurisë, demokracisë, dhe zhvillimit, Ranë dakord të: Mbështesin ripërtëritjen e përpjekjeve të qeverive të të dy shteteve respektive në zhvillimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut dhe kohezionit shoqëror me qëllim arritjen sa më shpejt të standardeve evropiane; Rikonfirmojnë vullnetin e ndërsjellë për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit vëllazëror e strategjik dhe me partnerët ndërkombëtarë; Shprehin mirënjohjen për vendet mike dhe partnerët strategjikë për mbështetjen e pakursyer e të jashtëzakonshme që kanë dhënë ndër vite, përkrahje kjo e cila mbetet e domosdoshme edhe për të ardhmen; Përshëndesin riangazhimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor përmes Procesit të Berlinit, misionin e të cilit e shohim në dritën e Delors për “Konkurrencën që nxit, bashkëpunimin që forcon dhe solidaritetin që bashkon”; Rikonfirmojnë vullnetin e sinqertë për bashkëpunim të hapur dhe efikas me të gjitha vendet e rajonit në dobi të qytetarëve dhe të proceseve integruese; Shprehim solidaritetin ndaj sfidave që përballin vendet mike dhe partnerët tanë strategjikë dhe zotohen për të dhënë kontributin e dy shteteve respektive në ballafaqimin me këto sfida; Refuzojmë me vendosmëri çdo alternativë tjetër që bie ndesh me projektet strategjike të integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe nxisin veprim të koordinuar, duke u përqendruar në:
  1. Përshpejtimin simetrik të proceseve të integrimit të të gjitha vendeve të rajonit që dëshirojnë të anëtarësohen në BE dhe NATO; integrimi në BE dhe NATO mbeten procese thellësisht politike, me ndikim të jashtëzakonshëm në përfundimin e proceseve të paqes në rajon;
  2. Hartimin e një dokumenti strategjik për anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE dhe NATO;
  3. Liberalizimin sa më të shpejtë të vizave ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, me angazhimin se Kosova do të bëjë çdo përpjekje, të zgjidhë, në mirëbesim dhe mirëkuptim të ndërsjellë, çështjet që lidhen me marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me fqinjin e saj, Malin e Zi;
  4. Vazhdimin e fazës përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, duke ftuar një angazhim të ripërtërirë të BE-së dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të ShBA-ve, me qëllim njohjen përfundimtare të Kosovës si shtet sovran e i pavarur nga ana e Serbisë, si një proces që do të ketë efekte pozitive për të gjithë rajonin.
Prishtinë, më 11 tetor 2017.

                                                 Presidenti     i Republikës së Shqipërisë ,   Ilir Meta                                                        

Presidenti     i Republikës së Kosovës,   Hashim Thaçi