TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Fondet publike vijojnë të merren nga familjarë të politikanëve shqiptarë, duke mos llogaritur konfliktin e interesit që rëndon mbi ta. Tpz.al mëson se sëfundmi një tender me vlerë 619 milion lekësh është fituar nga kompania e vëllait të deputetit socialist Xhemal Qefalia, Kujtim Qefalia.
Bëhet fjalë për rikonstruksionin nga e para të 5 godinave të Qendres Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit, të cilët do të pajisen edhe me sistem qëndror ngrohje.
Tenderin e ka fituar kompania e Administratorit të Njësisë Dajt, Kujtim Qefalia. Kompania “Dajti Park 2007 Shpk” me vlerë prej 619 milion lekësh të vjetra ndërsa limiti i tenderit ishte 623 milion lekë të vjetra.
Në procedurën konkuruese të prokurimit publik të bërë gjatë muajt Gusht ka marrë pjesë dhe një tjetër kompani BE- IS shpk e cila sipas autoritetit kontraktor rezultonte se nuk kishte arritur të përmbushte 9 kritere të vendosura konkretisht: nuk kishte të punësuar personel të aftë për armaturë, themele, muraturë, suvatim, lyerje, hidraulike, mekanike, elektrike, nuk kishte punëtorë për montim skeleri suvatim fasade, nuk rezultonte e pajisur me laborator të akredituar për testimin e zhurmave dhe ndotjes së ajrit, nuk kishte mundur të dëshmonte se kishte pjesë të stafit ekspert zjarrfikës të çertifikuar për pajisjet e sistemit të ngrohjes dhe ftohjes, nuk kishte paraqitur autorizim prodhuesi ose distributori i autorizuar, shoqeruar, me çertifikaten ISO, si dhe në fund nuk kishte autobetonieren në përputhje me kriteret e dhëna.
Burimi i financimi për këtë tender është buxheti i shtetit dhe kontrata duhet të përmbyllet brenda 7 muajve ( 28 javë). Sipas llogarive godinat e reja të Qendrës Pritëse të Azilkërkuesve do të jenë gati në muajn Prill 2018.
Njoftimi i klasifikimit të fituesit është bërë në datë 22.08.2017 dhe interesant është fakti që nuk ka patur asnjë ankesë. Dy gjëra që bëjnë përshtypje në këtë tender është numri i vogël i kompanive pjesmarrëse në prokurim si dhe fakti që kompania e vetme rivale në këtë tender BE- IS shpk duket sikur ka hyrë fiktivisht në këtë garë.
Kompania “Dajti Park 2007” i është ndryshuar emri tre herë, por është e njëjta kompani që Kujtim Qefalia themeloi në vitin 1999 me emrin tregtar “Qefalia” shpk emër të cilin do e ndryshonte në vitin 2004 në “Vllaznia” shpk.
Me 22.01.2007 në prag të zgjedhjeve lokale Kujtim Qefalia që kandidonte për kryetar të komunës Dajt do ia shiste aksionet në vlerën e 650 milion lekëve shtetasit Ylber Kalaja.
Ky i fundit do ndryshonte pak muaj më vonë emrin e kompanisë duke vendosur emrin e lokalit “Dajti Park ” që dihet botërisht se është në pronësi të Kujtim Qefalias.
Nga momenti i shitjes dhe deri në vitin 2016 herë pas herë janë vënë dhe hequr si administrator të kompanisë “Dajti Park 2007”, Aqif dhe Lulzim Qefalia, vëllezër të ish kryetarit të komunës Dajt që mban të njëjtën detyrë aktualisht por me një emërtim të ri Drejtues i Njësisë Administrative Dajt (në bazë të reformës territoriale).
Mandati i ri qeverisë ka nisur me një konflikt të hapur interesi. Një tender i fituar për shkak të pozitës dhe pushtetit politik të pronarit real të kompanisë Kujtim Qefalia, Administrator i Njësisë Dajt që është edhe vëllai i deputetit Xhemal Qefalia. Për ironi, ky i fundit është edhe pjesë e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, që monitoron veprimtarinë e Ministrisë së Brendshme (Autoriteti kontraktues në këtë tender). /TPZ.AL/ Referuar Sosnews.al
