AKTUALITET, 30 Shtator 2017, 10:10

“Smoking Kills”, arrestohet kontrabandisti i cigareve të shtrenjta

“Smoking Kills”, arrestohet kontrabandisti i cigareve të

1301 steka cigaresh të markave të ndryshme; 27 225  Euro; 55 dollarë dhe një automjet "Toyota".

Ky është bilanci i operacioni policor të koduar "Smoking Kills" (“Pirja e duhanit vret”), i finalizuar me arrestimin e 45-vjeçarit Dashamir Ymeri dhe shitësit ambulant, 65-vjeçarit Rr.Sh, që të dy banorë të kryeqytetit.

Për Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Ymeri ishte një person i skeduar, pasi edhe më parë ishte dënuar për tregtim dhe transportim të mallrave kontrabandë.

Banesa e tij në rrugën “Kujtim Laro”, në zonën e Xhamllëkut në Tiranë,  ishte shndërruar në një minimagazinë, ndërsa në procesverbalin e rastit u regjistruan 1301 steka cigaresh të markave të ndryshme pa pullë fiskale.

Biznesi i paligjshëm mesa duket se kishte kohë që funksiononte dhe këtë e vërtetojnë shumat e sekuestruara: mbi 27 mijë euro dhe 55 dollarë. Bagazhi i automjetit të tij, tip “Toyota” shërbente si pikë furnizimi për klientët, dhe pikërisht forcat e Policisë Vendore ndaluan për ta proceduar më pas në gjendje të lirë 65-vjeçarin.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka nisur hetimet e plota në ngarkim të Ymerit, mbi të cilin rëndojnë tri vepra penale: "Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë"; "Fshehje e të ardhurave" dhe "Shkelje pronësisë industriale", parashikuar nga nenet 178, 180 dhe 149/ a të Kodit Penal, ndërsa për 65-vjeçarin R.Sh, si një rishitës me pakicë ajo e "Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë" (parashikuar nga neni 178 i Kodit Penal)./Tpz.al/