AKTUALITET, 30 Shtator 2017, 11:49

Radarët e fikur, Luan Rama: Shteti po bëhet bashkëfajtor në krim!

Akuzat janë të drejtpërdrejta. Dhe ato vijnë nga një politikan i nivelit të lartë. Një ish-ministër i Brendshëm.

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, rreshtoi një mal me akuza ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, tashmë jo nën drejtimin e Mimi Kodhelit, por të një tjetër shpikjeje të Kryeminisrit Rama, Olta Xhaçkës, e cila ende nuk e ka veshur për herë të parë uniformën ushtarake për foton simbolike.

Edhe pse Rama, edhe ky dikur një ish-ministër i Mbrojtjes (shkurt-korrik 2002), e trajtoi çështjen e fikjes së radarëve me një status në Facebook, problematika është shumë serioze.

Po e them drejtpërdrejtë: Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare (SIVHD - thënë më thjeshtë sistemi i radarëve) në Republikën e Shqipërisë, anëtare e NATO-s, nuk punon! Për të qenë më i saktë, ka gati dy vjet që ky sistem nuk është operacional! Ndërkohë, pagesat nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes për mirëmbajtjen e këtij sistemi janë kryer rregullisht dhe në kohë!”, - shkruan deputeti opozitar.

[caption id="attachment_3270" align="alignright" width="478"] Statusi në rrjetin social Facebook i Nënkryetarit të LSI-së, Luan Rama[/caption]

Në fakt, sistemi i radarëve rezulton problematik. Ka ardhur në Shqipëri në vitin 2008 në kohën kur qeveria kryesohej nga Sali Berisha (PD) dhe prej dy vitesh ka shfaqur probleme, kohe që përkon me qeverisjen Rama 1 (PS), vite që njohën edhe një lulëzim të panjohur më parë të prodhimit dhe të trafikimit të lëndëve narkotike.

Sipas ekspertëve të fushës, radarët që kapnin çdo mjet detar deri në madhësinë 6-7 metra, tani nuk kapin asgjë, pra sistemi i vëzhgimit detar është thuajse zero.

Rama i LSI-së është i qartë, ndërkohë që Rama i PS-së nuk është nga ata që është i prirur të reflektojë.

Çfarë duhet të ndodhë më shumë se kaq që shteti të zgjohet nga gjumi dhe institucionet e zbatimit të ligjit të kryejnë detyrën?! Çfarë pret Prokuroria që nuk nis hetimet? Apo që trafikantët e kriminelët të vazhdojnë të bëjnë siç kanë bërë?! Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e ka denoncuar këtë realitet mbi një muaj më parë!”, shton deputeti i Qarkut të Tiranës.

[caption id="attachment_3271" align="alignright" width="436"] Radar[/caption]

Për një njohës të mirë të së drejtës penale dhe të figurës së krimit si Luan Rama – sipas Kodit Penal janë 23 masa të ndryshme dënimi për prodhimin, shitjen, shpërndarjen, tregtimin, transportimin të bimëve narkotike – mosveprimi i shtetit është një bashkëfajësi në krim.

Dhjetë ditë më parë, unë publikisht i kam kërkuar Prokurorisë të nisë hetimet! Çfarë pritet akoma?! Mosveprimi i shtetit është bashkëfajësi në krim! Edhe një herë po e përsëris: radarët nuk punojnë! Shteti ende në gjumë! Në punë janë vetëm trafikantët!...”, përfundon statusin e tij të formuluar në formë akuze nënkryetari i LSI-së.

Në fakt, Ministria e Brendshme gjatë katër viteve të fundit ka referuar shifra të ulëta zyrtare për mbjelljen dhe trafikimin e lëndëve narkotike - të kundërshtuara gjerësisht edhe nga institucione ndërkombëtare – ndërkohë që, dy vendet fqinje, Italia përmes detit dhe Greqia përmes tokës, kanë raportuar shifra të frikshme. Besohet se qarkullimi nga trafikimi i lëndëve narkotike kap disa miliardë euro, ndërkohë që nuk ka ditë mos ndalohen korrierë droge në shtete të ndryshme të Europës./Tpz.al/