AKTUALITET, 30 Shtator 2017, 10:37

Dhunonte barbarisht bashkëshorten, arrestohet vlonjati me precedentë penalë

Dhunonte barbarisht bashkëshorten, arrestohet vlonjati me precedentë

Pranga për Ysni Dosin. Vlonjati 40-vjeçar ishte shndërruar në tmerrin e familjes.

Prej shumë kohësh ai ushtronte rregullisht dhunë ndaj njerëzve më të afërt, pa pasur asnjë ndjenjë njerëzore: bashkëshortes së tij (L.D, 39 vjeçe), djalit 13-vjeçar (A.D) dhe babait të tij, B.D, i cili kishte edhe një urdhër mbrojtje nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Dosi ishte një person me precedentë penalë dhe në “CV”-në e tij të pasur me ndalime dhe shoqërime nga policia, rezulton edhe një vepër penale, ajo e vjedhjes.

Policia e Vlorës bëri të ditur se ndaj Ysni Dosit është hapur dosja përkatëse, ndërsa Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë vazhdon me procedurat rutinë të kompletimit të dëshmive, ndërkohë që akuza tashmë është formuluar për veprën penale “Dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a/4 i Kodit Penal.

Nëse Gjykata Rrethit Gjyqësor Vlorë do ta shpallë fajtor të pandehurin, ai rrezikon deri në tre vjet burgim./Tpz.al/