TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë pasi ka shqyrtuar vendimin e Ministrisë së Kulturës për projektin “Rehabilitimin dhe ndërtimin e pikave të shërbimit në qytetin antik të Butrintit” (hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dt.25.05.2017), e ka miratuar. Këto punime, të bëra publike në medie janë hasur me reagimet kundër të njerëzve të fushës dhe jo vetëm. Specialisti i trashëgimisë kulturore, Gjerak Karaiskaj, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, shpjegon se cilat janë nevojat emergjente në Parkun e Butrintit dhe jo vetëm, për të cilat duhet që të ketë kujdes dhe vëmendje qeveria jonë.
Karaiskaj mendon se është e pamundur që shteti ynë të veprojë i vetëm me kaq pak fonde sa ka për mirëmbajtjen, restaurimin apo edhe dhe për ndërhyrje të tjera në monumente. Prandaj, duke qenë se privati duhet të luajë një rol të rëndësishëm në këtë pjesë, Karaiskaj shton se, punime të tilla, duhet që të jenë përherë të vëzhguara nga shteti. Mungesa e restauratorëve në vendin tonë është e dukshme, prandaj specialisti i trashëgimisë, sugjeron që të rinjtë që merren me këtë gjë, mos të përgatiten vetëm brenda për brenda vendit, por të krijohet hapësira për ta, që të specializohen edhe jashtë.
Zoti Karaiskaj, gjatë këtyre ditëve i është kushtuar shumë vëmendje projektit për “Rehabilitimin dhe ndërtimin e pikave të shërbimit në qytetin antik të Butrintit. Çfarë mund të na thoni ju, si ish-drejtor i IMK-së?
Për këtë projekt fillimisht u tha se, po bëhet një ndërtim i ri në Parkun e Butrintit, pranë murit të shekullit VII-VIII para erës së re. Por, mësuam se nuk ishte një ndërtim i ri, por ekzistues, i ndërtuar në periudhën e komunizmit, para viteve ’70-të, që ka shërbyer për të qëndruar ata që punonin atje. Mesa mbaj mend, është një ndërtim me dy dhoma, një korridor edhe një oxhak. Në kohën që është ndërtuar janë pasur parasysh disa kritere, si të ishte larg mureve dhe mos të konkurronte monumentet e tjera, pra që të mos binte në sy. Është ndërtuar me gurë dhe është lënë i pasuvatuar, pak a shumë është, si i futur në gropë. Nëse kalon atje nuk të bie në sy. Por, mund të shërbejë shumë mirë për ndonjë pije freskuese apo diçka tjetër, sepse itinerari i Butrintit është shumë i gjatë derisa njerëzit mbërrijnë atje mund të kenë nevojë për një kafe apo për një pije freskuese.
Pra, ju mendoni se ky projekt rehabilitimi nuk ndikon në shkatërrimin e Parkut të Butrintit?
Kam dy ditë që jam kthyer nga Dubronviku, një pasuri botërore, ku gjatësia e mureve është 2 km dhe bileta për të vizituar këto mure është 20 euro. Kishte disa pika, që kishin kafe apo pije freskuese, por jo restorante. Të paktën tre pika të tilla kam parë unë dhe kjo nuk është një gjë e jashtëzakonshme, si ngjarje. Kjo ndërtesë është shumë e ulët, nuk është një kafene, që të konkurrojë monumentet. Mendoj se gjë mund të bëhej edhe brenda kështjellës, pasi është e rindërtuar dhe një nga ato ambiente mund të shërbente për këtë gjë. Prandaj nuk mendoj se është diçka për t’u habitur edhe as për të thënë se është krim.
Në Butrint specialistët (arkeologët) mendojnë se nuk duhet të ketë më ndërtime. Por, si mendoni ju se duhet ruajtur kjo trashëgimi?
Në kohën që ishte fondacioni i Anglezëve, që zhvilluan gërmimet arkeologjike për 20 vjet, financuan edhe një grup pune, që e shfrytëzonin çdo verë, për konservimin e mureve të Parkut të Butrintit. Kjo gjë duhet që të jetë e vazhdueshme. Duhet një grup prej tre apo katër punëtorë, që të punojnë gjithë vitin dhe në punë të mbahen nga IMK, jo duke ua dhënë firmave private, sepse duhet kohë sa të mësohet një firmë me këtë punë. Ne këtë gjë e kemi pasur edhe në Kalanë e Lezhës, ku teknikët edhe specialistët restauronin muret Ilire në Kalanë e Lezhës. Kjo do të ishte mënyra më e mirë, që të dokumentoheshin dhe të konservoheshin muret që janë. Mendoj se edhe pse bileta është shumë e lirë, një vend i tillë, si Butrinti i nxjerrë vetë lekët, prandaj meriton që të ketë një grup pune.
Pra një grup pune, që punon vazhdimisht do të ishte zgjidhja e vetme, për ruajtjen e Parkut të Butrintit?
Unë them, që për konservimimin e mureve duhet të ketë një grup pune, specialistë edhe punëtorë të specializuar, që të punojnë vazhdimisht.
Për këtë duhet që të investohet më shumë në specializimin e specialistëve më të rinj?
Unë e dija këtë mungesë, që të rinjtë do të mbeteshin të paspecializuar, se në atë kohë nuk kishte mundësi dhe specializimi do të bëhej brenda Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ngula këmbë që të bëhej shkolla e restaurimit. Për këtë erdhi një specialiste e trashëgimisë nga Italia dhe shkolla e restaurimit u bë. Vazhdon ende, por mesa shoh unë më shumë anohet në fushën e arteve. Mendoj se tani janë mundësitë, që këta specialistë mos të rriten vetëm brenda për brenda vendit, por mund të dërgohen edhe jashtë shtetit.
Po faktin, që këto ndërhyrje bëhen nga privatë, si e shihni?
Në rastin konkret të Butrintit, mendoj se Butrinti duhet që të ketë një grup konservimi të përhershëm dhe kjo gjë duhet bërë dhe për Lezhën. Problemi është që në restaurim duhet të punojë shteti edhe privati. Nëse firmat janë private, kjo nuk do të thotë që shteti nuk duhet të punojë. Për shembull, në Qipro vetë shteti nuk mundet që ta përmbushte të gjithë punën, prandaj për këtë punojnë dhe firmat private. Këtë gjë kërkoi dhe për Butrintin. Vetëm me shtetin nuk arrihet të bësh diçka, sepse strukturat janë prishur.
Për çfarë kanë nevojë urgjente monumentet?
Më shumë kanë nevojë për fonde dhe specialistë, por ndihet nevojë dhe për ndërgjegjësim të njerëzve dhe të qeverisë, që të kontribuojnë në këtë gjë. Mund të bëhen ende konsulta dhe me ne, sa të jemi në gjallë. Në bazë të eksperiencës që kemi pasur, fillimisht ne planifikonim monumentet më të rëndësishme, por edhe që ishin më në rrezik. Nëse një monument është i rëndësishëm, por nuk është në rrezik, mund të bëhet një plan që vëmendja të jetë ndaj monumentit, që edhe pse më pak i rëndësishëm është në rrezik.
Juve personalisht kur ju kanë ftuar për ndonjë konsultë për herë të fundit?
Po na kanë thirrur kur u bë ligji për Monumentet. Për shembull, në vitin 2004-2005, kur edhe unë isha drejtor në IMK, 300 mln lekë të vjetra ishin fondet, kur në Slloveni ishin 9 mln euro. I bie rreth 30 herë më shumë fonde për një vend që ka më pak monumente.
Aktualisht jam në komisionin e Arkeologjisë edhe jap mendimin tim. Për shembull, në këtë fushë mund të sugjeroj se nëse bëhet Rruga e Arbrit për në Peshkopi, atje shkon për një orë. Në fund të kësaj rruge është një kala gjigante, që ka nevojë që të gërmohet e gjitha, pra të restaurohet. Për këtë, atje duhet të ngrihet një kantier i përhershëm, që të shkojnë edhe turistët. Ajo zonë, mund të kthehet në një Butrint të dytë, por punimet duhet të fillohen tani, që të ecet paralelisht.