AKTUALITET, 15 September 2026, 17:05

Pagat e magjistratëve/ Ligjet miratojnë draftin e PS me 8 vota pro dhe 3 kundër të opozitës! Më 17 shtator kalon në Kuvend

Komisioni i Ligjeve, si komision përgjegjës, miratoi projektligjin e Partisë Socialiste për pagat e magjistratëve. Nisma mori 8 vota pro të mazhorancës dhe 3 vota kundër të opozitës.

Drafti parashikon që paga referuese e magjistratëve të jetë sa 0.38 e pagës së Presidentit të Republikës, nga 0.36 që ishte më parë.

Formula e propozuar nga socialistët është kundërshtuar nga përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe shoqatat e magjistratëve. Ndryshe nga drafti i PS që parashikon një rritje me rreth 8500 lekë për rrogën referuese të magjistratëve, pretendimi i tyre, i miratuar edhe nga KLGJ e KLP, është 9-fish më i lartë, rreth 80 mijë lekë më e lartë.

Pas miratimit në Komisionin e Ligjeve, projektligji pritet të kalojë për votim në seancën plenare të 17 shtatorit.