AKTUALITET, 9 Tetor 2017, 12:32

Edi Rama "zbret nga hëna", shpjegon degradimin e AKU-së gjatë qeverisjes së tij

Edi Rama "zbret nga hëna", shpjegon degradimin e AKU-së

Edi Rama është shfaqur  sot në "Edi Rama TV", nga selia e Kryeministrisë për të prezantuar drejtorin e ri të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Përpara se të prezantonte drejtorin e ri, Rama bëri një përshkrim të gjatë të punës së AKU-së në këto vite të qeverisjes së tij. Sikur të kishte zbritur nga hëna, apo sikur të ishte ndonjë turist që po vizitonte për herë të parë Shqipërinë, kryeministri  tha se ky institucion ka vënë gjoba, i ka nxirë jetën sipërmarrësve dhe ka terrorizuar dyqanet dhe tregtarët e vegjël. Kryeministri e ka të thjeshtë të artikulojë kritika veçanërisht për këtë institucion sepse është drejtuar nga ish-aleatët e tij. Këtë gjë e nënvizoi kur tha se ky institucion ka qenë nën thundrën e "pushtetit të tepsisë"

Kritikat e Ramës në fakt  tregojnë gjendjen reale të këtij institucioni, por kryeministri këtë gjendje e ka ditur edhe në mandatin e tij të parë, kur e ka ndarë tepsinë për aleatët, në mënyrë që të ruante pushtetin e tij personal. Megjithatë ai ka zgjedhur të bëjë një "sy qorr dhe një vesh shurdh", për korrupsionin dhe abuzimet në këtë institucion, vetëm që të ruante pushtetin e tij, duke kënaqur këta aleatë. Pra Edi Rama, ka pranuar të bashkëjetojë me korrupsionin, duke i ditur të gjitha abuzimet që kryehishin ndaj qytetarëve dhe bizneseve.  Ai sot nuk pranon asnjë përgjegjësi për degardimin e pushtetit të tij dhe fajëson aleatët dhe tepsinë.

Nga ana tjetër, kryeministri ende nuk ka lëshuar asnjë akuzë për institucione të drejtuara nga zyrtarë apo militantë të partisë së tij. Nëse  Kryeministri do të ishte i sinqertë në qasjen e tij dhe do përqafonte këtë "pastrim" të madh që po i bën administratës, ai duhet të dilte sot përpara publikut, së pari me një ndjesë për degardimin e pushtetit të tij të djeshëm dhe me një analizë të institucioneve të drejtuara jo vetëm nga aleatët por edhe nga ai vetë. Por siç bën gjithmonë, kryeministri u kujdes të identifikonte delet e zeza që e kanë shkatërruar vendin, duke harruar se udhëheqësi i këtyre deleve të zeza dhe të korruptuara ka qenë vetë ai për katër vite me rradhë.

Në fund të fjalës së tij Rama prezantoi edhe drejtorin e ri të AKU-së, Agim Ismaili, dhe u shpreh se ai do të jetë në një periudhë prove 100 ditëshe. Mbetet për t'u parë si do të shkojnë punët në këtë institucion tani që të gjithë tepsinë e ka Edi Rama.  / TPZ. AL /