AKTUALITET, 9 Tetor 2017, 10:15

Kundërpërgjigjet Turqia, pezullon shërbimin e vizave me SHBA-të

Kundërpërgjigjet Turqia, pezullon shërbimin e vizave me

Edhe Turqia e pezullon shërbimin e vizave, në vijim të sherrit konsullor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasada Turke në Uashington u shpreh se i duhet të justifikojë angazhimin e qeverisë ndaj sigurisë së misionit diplomatik dhe personelit. Një deklaratë e ngjashme ishte lëshuar më herët nga Ambasada Amerikane në Ankara, ku thuhej se“ngjarjet e fundit e kanë detyruar qeverinë amerikane të rishqyrtojë angazhimin e saj ndaj ekzekutivit turk lidhur, me sigurinë e objekteve të misionit dhe personelit amerikan”.

Pak ditë më parë, SHBA-të pezulluan të gjitha shërbimet për viza joemigrimi, në të gjitha objektet diplomatike amerikane në Turqi, me arsyetimin për minimizimin e njerëzve në dyert e ambasadës dhe konsullatave, ndërsa njoftimi nuk sqaronte arsyet përse po ndodhte rivlerësimi i angazhimit ndaj Turqisë dhe as se sa do të zgjasë ky pezullim.

Ndonëse nuk pati shpjegime të mëtejshme, lëvizja vjen pasi një punonjës i Konsullatës Amerikane në Stamboll u ndalua javën e kaluar nën dyshimin e lidhjeve me Fetullah Gylenin, kleriku i akuzuar prej Ankarasë dhe Rexhep Taip Erdoanit si organizatori i grushtit të dështuar të shtetit vitin e kaluar. Uashingtoni e dënoi ashpër episodin e konsideruar prej tij si krejtësisht të pabazë dhe të dëmshëm për marrëdhëniet dypalëshe. Punonjësi i arrestuar ishte shtetas turk. Ankaraja i bën prej muajsh presion Uashingtonit të ekstradojë Gylenin, të cilin Erdoan e sheh si shkakun kryesor të trazirave.