AKTUALITET, 9 Tetor 2017, 12:21

Myftinia e Elbasanit dhe nëna e të arrestuarit, reagojnë pas lajmit në tpz.al

Myftinia e Elbasanit dhe nëna e të arrestuarit, reagojnë pas

Pas lajmit të publikuar në TPZ.AL, se shqiptari i arrestuar për terrorizëm në Malajzi, ishte dhëndri i Inspektorit të Myftinisë së Elbasanit, në Belsh, z. Musa Duhanxhiu, ka ardhur edhe reagimi zyrtar i Myftiut të Elbasanit, z. Agim Duka.

Në fjalën e tij, Myftiu Duka thekson se Klodian Zaimaj nuk ka qenë asnjëherë i emëruar apo i angazhuar në Myftininë e Elbasanit apo në ndonjë nga xhamitë e këtij qarku. Duka u shpreh se Myftinia e Elbasanit, prej dy vitesh po organizon fushata sensibilizuese, në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Ja reagimi i plotë i Agim Dukës, Myftiu i Myftinisë së Elbasanit.

“Deklaroj me kompetencë se shtetasi Klodian Zaimi nuk ka patur asnjëherë emërim dhe angazhim në Myftininë e Elbasanit dhe në asnjë nga xhamitë e Qarkut të Elbasanit. Myftinia e Elbasanit ka qenë dhe mbetet e fokusuar në ruajtjen e Islamit tradicional, mbështetur në statutin dhe në rregulloren e brendshme të KMSH. Prej dy vitesh Myftinia e Elbasanit zhvillon fushatë sensibilizuese, me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare për forcimin e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe prirjeve radikale. Zaimi nuk ka patur dhe nuk ka asnjë lidhje me Myftininë e Elbasanit. Në Myftininë e Elbasanit nuk ka strehë askush që nuk respekton parimet dhe rregulloren e KMSH. Ne dënojmë me ashpërsi çdo veprim që bie ndesh me këto parime. Evidentimi i rasteve të tilla është cënim i imazhit dhe vlerave të Islamit. Myftinia e Elbasanit, që para 5 vitesh ka denoncuar shfaqjen e elementëve me prirje radikale në zonën e Cërrikut. Aty ka ekzistuar nje grup me prirje të rrezikshme, ku falë ndërhyrjes se KMSH, shtetit dhe faktorit ndërkombëtar, është bërë neutralizimi i tyre".

Ndërkohë, më pas ka reaguar edhe nëna e të arrestuarit, Afërdita Zaimaj, e cila e cilësoi të birin të pafajshëm dhe theksoi se ky është një kurth.

‘Klodiani është i pafajshëm. Ai gëzon respektin e të gjithëve që e njohin, ndaj presim që e vërteta të dalë në shesh sa më shpejt. Djali im ka ikur nga shtëpia më 30 shtator, por këto akuza po na shkatërrojnë familjen. Mendoj që ky është një kurth i ngritur nga Malajyia ose Shqipëria, se i ka zënë dikujt vendin. Klodjani nuk mund të përfshihet në terrorizëm’, u shpreh Afërdita Zaimaj.

TPZ.AL