AKTUALITET, 17 Tetor 2017, 22:18

Hoxha: Nëse prokuroria hesht, hakmarrja e mafies mund të jetë tek gazetarët

Hoxha: Nëse prokuroria hesht, hakmarrja e mafies mund të jetë tek

Gazetari Artan Hoxha apeloi organin e akuzës që të çojë para drejtësisë politikanë dhe elementë të grupeve kriminale, pasi në të kundërt ata do të hakmerren ndaj gazetararëve.

"Nëse nuk shkon njeri në burg, atëherë radha shumë shpejt do të na vijë ne gazetarëve. Me të drejtë mafia do thotë që ne nuk na prek shteti dhe prokuroria, ndërsa na prekin gazetarët" - u shpreh Hoxha.

 Hoxha, deklaroi se është “skeptik me mënyrën si po zhvillohen ngjarjet”.

“Bëhet fjalë për një furtunë më tepër në aspektin mediatik dhe politik, por ende nuk kemi parë veprime konkrete nga organet e hetimit në Shqipëri. Sa kohë që Prokuroria e Përgjithshme apo ajo e Krimeve të Rënda nuk kanë nisur hetimet...”, tha Hoxha, i ftuar në Top Story.

Sipas Hoxhës, duhet të ishin marrë dosjet e hetimeve nga Katania që sot.

“Jam skeptik sepse çështja do të kalojë në sferën politike. Opozita ngre me të drejtë alarmin, por duhet t’i bëjnë presion Prokurorit të Përgjithshëm. Nëse nuk nis hetimet Prokuroria, asnjë zyrtar shqiptar nuk mund të dënohet”, shpjegoi Hoxha.

Basir Çollaku: Tahiri, i përfshirë në aferë

Ndërkohë, Basir Çollaku deklaroi në studion e “Top Story” se “nga faktet dhe denoncimet 3-vjeçare, zoti Tahiri del i përfshirë në këtë aferë”.

“Këta kushërinj janë nën suportin e Tahirit për t’u marrë me këto afera. Është një grup që është marrë edhe me heroinë e kokainë. Kishte akumuluar shuma të konsiderueshme parash dhe pushtet. Nuk më vjen mirë që vjen dosja nga Italia, kur në dijeninë time kjo dosje ka qenë edhe në Shqipëri”, tha Çollaku.

Ai shtoi se “krerët e policisë dhe të organizatave kriminale bëjnë takim mujor për të ndarë parcelat e skafet”.

“Ku janë drejtuesit e policisë së Fierit dhe Vlorës? Mosveprimet e tyre kanë bërë që të vijnë italianët e të na thonë që këtu ka ndodhur diçka”, u shpreh Çollaku.