AKTUALITET, 17 Tetor 2017, 17:29

Andi Bushati: Rama e ka hedhur "pataten e nxehtë" nga duart

Andi Bushati: Rama e ka hedhur "pataten e nxehtë" nga duart

 

Analisti Andi Bushati, i ftuar në rubrikën "Opinion", Në News 24, ka folur për akuzat që opozita po i bën Saimir Tahirit, pas publikimit të disa përgjimeve ku trafikanti Moisi Habilaj e përmend me emër ish- ministrin.

Bushati tha se indiciet që po vijnë nga Italia, e bëjnë të mendojë se akuzat e opozitës për vite me rradhë nuk kanë qenë të kota.

"Ne nuk dimë sa është fajtor Saimir Tahiri. Ne dimë se nga Italia ka ardhur një indicia shumë e qartë se akuzat ndaj tij nuk kanë qenë prodhime të makinerisë së baltës."

"Kur u transmetua video e Zaganit, u bë ç'ishte e mundur për t'a zhdukur videon. U bë maksimumi që video të zhdukej nga mediat. Sot, organet italiane të hetimit vërtetojnë akuzat e formuluara tre vite më parë. Ky fakt, nuk rëndon vetëm Tahirin, por edhe kryeministrin Rama që bashkë me Tahirin na kanë mbushur mendjen që në vendin tonë është ngritur policia që duam."

Bushati u shpreh se Rama e ka "shitur" Tahirin që ditën që nuk e vendosi ministër, për mandatin e tij të dytë.

"Reagimi i sotëm i Ramës, është reagimi tipik i njeriut që e ka hedhur ‘pataten e nxehtë nga duart” tha Bushati.

Bushati bëri një krahasim të deklaratës së sotme të kryeministrit, me deklaratën që ai bëri kur u arrestua Shpëtim Gjika. Sipas Bushatit këto deklarata ishin thuajse identike, gjë që dëshmon se sjellja e Ramës në raste të tilla, është gjithmonë një përpjekje për t'u distancuar menjëherë nga personi që është nën akuzë. /TPZ.AL/