AKTUALITET, 17 Tetor 2017, 20:56

Saimir Tahiri "ndez" dashurinë PD-LSI/ Kryemadhi: Bashkë kundër krimit!

Saimir Tahiri "ndez" dashurinë PD-LSI/ Kryemadhi: Bashkë

Përveç sulmeve politike ndaj Saimir Tahirit, gjatë ditës së sotme u vu re një dashuri e re mes dy forcave politike opozitare, PD dhe LSI. Lulzim Basha, u kujdes që të dilte në konferencën për shtyp, në orën 18:00, rreth 30 minuta përpara Monika Kryemadhit. Duket se të dy konferencat por edhe përmbajtja e fjalimeve, ishin të mirëkordinuara nga stafet e PR të dy forcave politike.

Lulzim Basha mbajti një fjalim të shkurtër, ku dënonte fortë Saimir Tahirin, një nga personat më të sulmuar edhe nga Lëvizja Socialiste për Intergrim. "E vërteta është se Tahiri nuk është as më shumë as më pak se një nga peshqit e mëdhenj, anëtarët e sukseshëm të organizatës kriminalo-politike. Gjithçka është bërë me dijeninë dhe bekimin e Edi Ramës, që është përfituesi kryesor i parave të drogës së Habilajve. Vetë kriminelët pohojnë në përgjimet e antimafias se për të fituar zgjedhjet janë përdorur miliona euro." - denoncoi Lulzim Basha.

Në fund, Basha njoftoi organizimin e një tryeze opozitare, ku indirekt ftoi edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. "Nesër Partia Demokratike do të thërrasë një tryezë me gjithë spektrin opozitar. Për çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike po troket ora e ballafaqimit me të vërtetën. Po troket ora e vendimeve të mëdha."- tha ndër të tjera kryedemokrati.​

Nuk vonoi as 30 minuta më pas, dhe menjëherë nga selia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, del në konferencë për shtyp, Monika Kryemadhi. Të njëjtin linjë mbajti edhe Monika, duke sulmuar direkt kryeministrin Rama dhe ish ministrin Tahiri.

“Saimir Tahiri është një nga hallkat që lidh Edi Ramën me krimin e organizuar, por ka ende edhe shumë hallka të tjera të cilat lidhin Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë me krimin e organizuar. Janë hallkant e krimit dhe trafikantëve, por janë edhe hallka të oligarkëve, të cilët me bekimin e Edi Ramës, pastrojnë paratë e bandave, krimit të organizuar dhe trafikantëve.” - u shpreh Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së e pranoi menjëherë ftesën e Bashës, për të qënë në tryezën e përbashkët kundër krimit, Ramës dhe Tahirit.

“Pavarësisht ndasive dhe pikëpamjeve politike ne do të bëhemi bashkë me PD kundër krimit, bandave dhe lidhjes së tij me qeverinë. Mbështes qëndrimin e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, për një tryezë të gjerë politike që do t’i përgjigjet me një aksion intensiv dhe politik, por edhe të pakompromis luftën ndaj bandave dhe krimit në pushtet” - shtoi ndër të tjera, Kryemadhi.

Pas konferencave për media, u zhvillua edhe një takim mes Monika Kryemadhit dhe kryedemokratit Lulzim Basha në selinë e PD-së ka zgjatur 40 minuta. Kryemadhi në takim shoqërohej nga Petrit Vasili. Mësohet se në takim Kryemadhi dhe Basha do të mblidhen nesër në një tryezë në orën 11:00.

Në të shkuarën, Lulzim Basha dhe Ilir Meta, njiheshin për miqësinë që kishin mes njëri-tjetrit. Shpesh ata ndiqnin të njëjtën linjë politike, madje duke devijuar në disa raste edhe nga kryetari i PD-së në atë kohë, Sali Berisha. Kjo miqësi u thye për pak kohë, pas në mes hyri Edi Rama rreth 2015-2016, ku në skandalin DIA-CEZ, Basha kërkoi edhe shkarkimin e kryetari të kuvendit, Ilir Meta.

Pas kësaj krisje, dashuria mes PD-LSI u rindez sërish, madje kulmoi me ngritjen e çadrës së opozitës në bulevard. Por edhe kësaj herë, në mes hyri sërish Edi Rama, i cili me një marrëveshje të 18 majit 2017, afroi pranë vehtes Lulzim Bashën, ndërsa Ilir Meta u gjet pothuajse pa mbështetje.

Tashmë, pas zgjedhjeve të 25 qershorit, sërish ka një afrimitet mes PD dhe LSI, me dallimin e vetëm, që kryetare e LSI tashmë është Monika Kryemadhi. Nuk dihet nëse kjo dashuri e rindezur për të disatën herë do të vazhdojë, por nëse do të kemi një koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 2019, mes PD dhe LSI, mund të vendos në vështirësi kryeministrin Rama./TPZ.AL/