SPORT, 27 Shtator 2017, 23:53

Daja e di formulën kundër Yang Bojs: Nëse duam të fitojmë, duhet…

Daja e di formulën kundër Yang Bojs: Nëse duam të

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, është i vetëdijshëm për forcën e Jang Bojs, kundërsharit të radhës në Ligën e Europës.

“Nëse duam të arrijmë te fitorja, duhet që përveç gjendjes fizike, edhe psikologjikisht të jemi në një nivel që këtë lloj kondicioni fizik që kemi, ta menaxhojmë sa më mirë që të jetë e mundur”, – tha Daja, trajneri i dytë që e çon klubin korçar në fazën e grupeve të Ligës së Europës, pas Mirel Josës dy edicione më parë.

Yang Bojs konsiderohet nga kompanitë e bastëve si një favorit absolut për ta fituar takimin.

“Futbolli nuk ka asnjëherë përqindje, kur flasim kështu do të thotë që ka një lloj tendence. Kemi të njëjtat shanse siç kishim me klube me buxhete që lëvizin shumë në raport me vendin tonë, ku ne jemi pararojë bashkë me 2-3 klube të tjera. Nuk do të thotë se do të dorëzohemi, do të bëjmë gjithçka mirë, të ndërgjegjshëm që do të djersitim shumë në këtë takim, se ai ekip ka elementë të mirë dhe bazohet në ekuilibër taktik”, tha tekniku tiranas në konferencën për shtyp.

Mungesa janë tashmë të konfirmuara. Daja po zbaton rotacionin

“Osmanit të konfirmuar i shtohet Radasi, për arsye dëmtimi nuk ishte prezent këtë javë. Kishim probleme edhe me Nimagën dhe Muzakën për dëmtimet që morën. Ana tjetër është që kjo ndeshje na ka qëlluar mes dy ndeshjeve me rivalët për titull, Partizanin dhe Kukësin. Kjo do të thotë se rotacionin që e bëmë pas Dinamos së Kievit, jemi të detyruar ta bëjmë në funksion të kampionatit, se ai është objektiv primar.

Trajeri Ilir Daja pranoi se kishte njohuri të mjaftueshme për Jang Bojs.

“E kam ndjekur personalisht. Edhe nesër paradite do të bëjmë analizën e fundit me video për të treguar se kush janë pikat e dobëta të kundërshtarit, ekip që ndryshon modulin brenda lojës. Ka lojtarë agresivë dhe ekuilibër shumë të mirë, të aftë në dyluftimet një kundër një. Edhe ky ekip ka anët e veta jo të forta, por nuk mund të prezantohemi si në çdo takim tjetër, çështjet i kemi trajtuar me grupin për të synuar rezultat pozitiv”.

Në 9 takime në Ligën e Europës, Skënderbeu ka regjisruar 4 fitore, 3 barazime e 2 humbje.

“Nuk kemi ndenjur në mbrojtje. Rezultatin pozitiv do ta kërkojmë nëpërmjet një loje të mirë, dua të luajmë mirë nëse duam të shkojmë edhe më përpara”, – shtoi Daja, i cili zbardhi dhe formacionin.

“Në mbrojtje rikthimin e Jashanicës, pikë e fortë e jona, për të plotësuar mungesën e Radas. Kemi Kristin (Vangjeli), është tashmë lojtar vendimtar në mbrojtje me eksperiencë. Këto plotësohen nga Aliti dhe Mici. Besoj se me përjashtim të Alitit që ka luajtur në dy ndeshjet e fundit, pjesa tjetër ka qenë prezent edhe në kampionatin e kaluar. Xhejms do të plotësojë treshen e qendrës në mesfushë me Lilajn e Nimagën. Para do të jetë treshja Gavazaj-Soue-Sahiti”, tha Daja, që shtoi se objektivi kryesor është titulli, ndërsa Europa duhet vazhduar se është bonus në kampionat.