AKTUALITET, 17 Tetor 2017, 15:33

Rama "shet" Tahirin: Person me integritet por duhet t'i shkojmë deri në fund të vërtetës

Kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë pas arrestimit të Moisi Habilajt, trafikantit të arrestuar në Itali, i njohur si kushëri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Rama thotë se Tahiri është një person me integritet, por i kërkon organeve ligjzbatuese të kërkojnë dhe të zbulojnë të vërtetën. Rama shprehet se qeveria e re është krijuar për të mos falur askënd, që zgjedh rrugën e krimi, duke lënë të kuptohet arsyen përse Tahiri nuk është në kabinetin e tij në mandatin e dytë.

STATUSI I KRYEMINISTRIT:

“DUAM TË VËRTETËN! SA MË PARË!

Është e neveritshme dhe shokuese çka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve!

Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe kam pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet.

Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet.

Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdoqoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam - Me shtet, punë, mirëqenie.

Asnjë luhatje. Asnjë rezervë. Asnjë dyshim: Lufta jonë me krimin do të vazhdojë në çdo ditë me edhe më shumë forcë. Deri në fund!”