TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu, foli me të rinjtë e qytetit të vogël të Rreshenit me një retorikë me nuanca më të forta politike, sesa me gjuhën e zbehtë diplomatike.
“Ju jetoni në demokraci. Ju duhet të kërkoni dhe nëse qeveria nuk ju përgjigjet, ju e rrëzoni atë. Kështu funksionon demokracia. Në demokraci, përgjegjësinë dhe pushtetin e keni ju”, citohet të ketë thënë ambasadori i 9-të amerikan në Shqipëri pas rënies së komunizmit.
Në fakt, stilistika e mesazheve të Lu i ngjan fjalimit të ish-Sekretarit të Shtetit, Xhejms Bejkër, kur ai vizitoi Tiranën në qershor 1991. Atëherë fjalimin e tij për “lirinë” e dëgjuan në Sheshin “Skënderbej” mbi 300 mijë njërëz.
Ambasadori Donald Lu zgjodhi një auditor më modest, por i bindur se mesazhi i tij do të kishte një audiencë përcjellëse përmes rrjetit social disa herë më të madhe pas 26 vjetësh.
Si një diplomat karriere - Pakistan, Indi, Gjeorgji, Kirgizstan, Azerbajxhan dhe Shqipëri – ai zgjodhi fillimisht të flasë për libra falas me nxënësit për të krijuar një ambient të ngrohtë, por në listën e tij, akuzat për makinat luksoze dhe për udhëtimet e tyre jashtë vendit të zyrtarëve të Qeverisë, ishin nënvizuar më të kuqe.
“Është e arsyeshme që qytetarët të kërkojnë që qeveria të sigurojë fondet që të blejë libra për studentët. Ky është një vend i varfër. Nuk është një vend i pasur, - tha ai për Shqipërinë. - "Dhe kur qeveria thotë se nuk mund ta përballojë këtë, ju duhet ta pyesni se si po paguajnë për godinat e tyre të dashura të qeverisë, për makinat e tyre luksoze dhe për udhëtimet e tyre jashtë vendit”, tha Lu, i cili kërkesën e kreut të opozitës, Lulzim Bashës, bërë që në fillim të vitit shkollor për dhënien falas të librave për nxënësit shqiptare.
Lu është ambasador në Shqipëri nga viti 2014. Mesazhin e parë të tij e bëri në shqip. Atëherë të gjithë u befasuan nga ai, por sot pas tre vjetësh e kanë të qartë se shqipja e tij nuk mjafton./Tpz.al/