TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Çdo vit ka sipërmarrje që hyjnë tek VIP-at, duke rritur menjëherë xhiron dhe po aq lehtë dhe dalin, aktiviteti i tyre kryesor duket se është faturimi e rifaturimi. Kompanitë nuk kanë pothuajse fare asete, sidomos materiale afatgjata dhe punësojnë vetëm një grusht njerëzish.
Sipërmarrje të tilla, ndonëse renditen tek VIP-at dhe qarkullojnë miliona, nuk kanë asnjë vlerë të shtuar në ekonomi, teksa si taksat që paguajnë janë minimale, ashtu dhe numri i të punësuarve është tepër i ulët, ndërsa për risi teknologjike, as që bëhet fjalë.
Në vitin 2016, një hyrje e re është Global ResourceSHPK, e krijuar më shtator 2015. Sipas bilancit, kompania rriti në ardhurat nga 158 milionë lekë në 3.8 miliardë lekë dhe sipas faqes zyrtare, ajo ka si aktivitet kryesor tregtimin e pajisjeve elektroshtëpiake dhe elektronike. Me të ardhura prej 27 milionë eurosh, kompania deklaron se ka vetëm tre të punësuar. Sipas burimeve nga tatimet, kompania i faturon vetvetes si dhe një subjekti në Poloni.
Alpi-Com është një tjetër hyrje e re me aktivitet “blerjen apo disponimin mbi pjesëmarrje në kapital në korporata/ telekomunikacion” me rritje të menjëhershme të të ardhurave, nga 213 milionë lekë në 3 miliardë lekë. Fondi i saj i pagave mbulon maksimumi 7 apo 8 punonjës.
Në mënyrë të ngjashme, BWB, me aktivitet në – instalimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e impianteve për rrjete telefonie fikse dhe mobile, shitblerja brenda dhe jashtë Shqipërisë të të gjitha shërbimeve të telekomunikimit më tepër se trafiku telefonik si p.sh., Sms, të dhëna, kapacitet transmetues si në tregun me shumicë, ashtu edhe në atë me pakicë;- deklaroi të ardhura 2.2 miliardë lekë, nga 514 milionë lekë vitin e mëparshëm. Fondi i saj i pagave prej vetëm 2.5 milionë lekësh në vit mbulon maksimumi 4 apo 5 persona, me një pagë 50 mijë lekë në muaj.
Edhe vitet e kaluara, nuk kanë munguar raste të tilla. Kim-Al, Luku 2013 janë raste të subjekteve që u ngjitën te VIP-at me rritje të shpejtë dhe më pas pezulluan aktivitetin.
Kompanitë që tregtojnë karta të telefonisë celulare kanë reflektuar rritje të xhiros edhe për faktin se Tatimet filluan t’u llogarisin si xhiro edhe vlerën e kartës, jo vetëm komisionin, siç ndodhi vitin e kaluar me operatorët turistikë, që shënuan rritje të ndjeshme për shkak të ndryshimit të mënyrës së kontabilizimit (si e ardhur figuron tashmë dhe vlera e biletës, jo vetëm komisioni që merrnin operatorët). /Monitor.al