AKTUALITET, 5 Tetor 2017, 12:22

Spiropali: Nuk merremi me hallet e PD-së, por punojmë për vendin (shmang përgjigjen për krimin)

Spiropali: Nuk merremi me hallet e PD-së, por punojmë për vendin

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka dalë jashtë sallës së Kuvendit për një komunikim me mediat.

Spiropali ka dashur të sqarojë çfarë ka ndodhur në seancë dhe t'i përgjigjet akuzave të PD-së se po pengohet debati dhe po i mbyllet goja opozitës.

Spiropali u shpreh se Parlamenti tashmë ka rregulla të reja, dhe mazhoranca nuk është "për të qarë hallet e Partisë Demokratike" por për të punuar për hallet e vendit.

"Erdhëm për të votuar komisionin e reformës zgjedhore. Nuk na e dhanë këtë mundësi, sepse nuk kanë ardhur me arsyen serioze për votimin e këtij komisioni,  por për sherr. Kur perëndia t'i merr mendt, vetëm perëndia mund të t'i kthejë" u shpreh Spiropali për deputetët e PD-së.

E pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat e ambasadorit Lu për krimin, Spiropali u vu në pozitë të vështirë sepse duket se  nuk ishte caktuar nga partia për të folur për këtë çështje, por thjesht pë sqarim lidhur me seancën e sotme. Ajo e shmangu përgjigjen dhe e konsideroi pyetjen si "hedhje degë më degë"

"Nëse hidhemi nga dega në degë, është për seancë tjetër. Jemi të vendosur të merremi me cështjet serioze jo t'i kthehemi avazit të pushtimit të foltores."

Është e çuditshme si një deputete kaq e rëndësishme e mazhorancës nuk ka mendim, për krimin. Duket se kryeministri ka autorizuar fare pak zëra nga mazhoranca për t'u prononcuar për këtë çështje. / TPZ.AL /