AKTUALITET, 2 Tetor 2017, 11:13

Shkullaku ironizon Bashën: Ai e hëngri salçiçen e pushtetit më 18 maj!

Shkullaku ironizon Bashën: Ai e hëngri salçiçen e

Opozita shqiptare, e cila vijon të jetë e çorientuar prej disa kohësh, duket se e ka të vështirë të identifikojë qëllimet e saj. Filozofia me të cilën është ngjizur kjo opozitë, nuk të jep shpresë për të ardhmen, madje të rrëzon besimin në minimum, pasi nuk është në gjendje të zhvillojë një betejë politike përballë kësaj mazhorance agresive.

Tpz.al intervistoi analistin Armand Shkullaku për të kuptuar më tepër pozicionin e opozitës aktuale, PD dhe LSI, të cilat deri tani nuk të ngrohin si një alternativë, që mund të vijë në pushtet në të ardhmen.

"Mazhoranca e Edi Ramës ishte arrogante, prodhoi aq shumë skandale në 2-3 vitet e para, si asnjë qeveri e marrë bashkë në Shqipëri, nuk i kishte prodhuar, kështu që si opozita, si qytetarëve, iu desh të përballen me rrezikun imediat që ishte qeverisja. Beteja mbi dekriminalizimin, beteja kundër drogës, kundër emërimeve nepotike, kriminalizimin në strukturat e shtetit, rastet e goditjes selektive të bizneseve, të qytetarëve etj, etj, pati shumë gjëra të kësaj natyre. Tenderat e famshme, konçesione të tmerrshme, gjitha këto, bëjnë që lufta opozitare, si të thuash, ti jepte një fytyrë Partisë Demokratike. Por prapë, në fakt kjo nuk vjen thjesht nga performanca, por kjo vjen nga qëllimi që ti ke bërë opozitë. Pra të bërit opozitë është një mjet, për të arritur qëllimin më të lartë,  që është ai të qenit në alternativë, më i mirë se sa kundërshtari." - shprehet Arman Shkullaku për Tpz.al.

Me gjithë vështirësitë që pati opozita për tu ri ngritur në 4 vite, në 6 muajt e fundit, Partia Demokratike dhe lidershpi i saj, ndryshoi kurs. Kaloi në një kurs radikal. Opozita u detyrua ta radikalozoje aksionin e saj duke ngritur një çadër përpara kryeministrisë.

"Për disa muaj me radhë, njerëzit filluan të besojnë, atë se ideja e një ndryshimi radikal,  e përmbysjes së  një qeverie dhe moslegjitimimit të saj, nëpërmjet zgjedhjeve farsë, ishte kauza e re e opozitës, diskursi i Lulzim Bashës ishte i tillë, që nuk linte vend për ekuivok. Pra nuk kishte alternativë tjetër. Nuk duhet të hynte me patjetër Partia Demokratike në zgjedhje, deri në fund. Futja e papritur në zgjedhje, marrëveshja jo transparente me Edi Ramën, futja me një palë zgjedhje që dihet që në fillim, që ishin të gjitha në kontroll të mazhorancës, qe një provë e çuditshme, marrja e disa drejtorive të përgjithshme, marrja e disa ministrive etj etj… e përleu opozitën, në momentin më të pafavorshëm për të dhe qershia mbi tortë ishte lista e deputetëve, ku u duk qartë, halli më i madh në Partinë Demokratike nuk paska qenë qëndresa dhe rrëzimi i Edi Ramës, qoftë në rrugë radikale, por ruajta e një bërthame brenda Partisë Demokratike, që nuk e dinim se ku do e çonte Partinë Demokratike." - shton më tej Shkullaku në analizën e tij për Partinë Demokratike.

Lista e deputetëve të Partisë Demokratike, ishte një tjetër surprizë për opozitën. Në seancën e parë parlamentare, njëri pas tjetrit, deputetët e Bashës morrën fjalën. Dikush tregonte një histori, një tjetër një problem, ndërsa nuk mungonin nga ata të cilët flisnin me gjuhën e doktor Berishës. Jo pak të qeshura shkaktuan deputetët e rinj të Partisë Demokratike, të qeshura tallëse, duke venitur akoma edhe më shumë alternativën e opozitës për të ardhur në pushtet.

"Ajo është listë e momenteve të fundit, ajo është listë që është produkt një çoroditje të Partisë Demokratike, rrugë radikale, marrëveshje me Edi Ramën, kompromis, merr ministri,  merr drejtori, pastaj diçka tjetër, pastaj një gjë tjetër, njëherë jemi në paqe, njëherë jemi në luftë, njëherë jemi miq me Edi Ramën, i cili bën fushatën me dy gishta, me simbolet të Partisë Demokratike, pastaj papritur themi që na u vodhën zgjedhjet, pyetja e çuditshme është po ti e dije që do vidheshin zgjedhjet, pse hyre në zgjedhje? E gjitha kjo ka prodhuar atë grup parlamentar, që më shumë se sa lista Basha është lista e kaosit. Është lista e një partie, pa bosht, pa një shtyllë kurrizore, pa një qëllim të caktuar dhe pa një ide të qartë. Njerëzit mblidhen rreth idesë, njerëzit mblidhen rreth kauzës, njerëzit nuk mblidhen rreth konjukturave të rastit. Njëherë në çadër, njëherë në paqe, njëherë në luftë, njëherë në përqafim, njëherë në listë sipas meritave, njëherë në listë sipas interesave. Pra kjo gjë, na ka çuar në këtë performancë që ju e përmendëm. Që është perfomancë e parë e seancës parlamentare, që nuk kuptohej se kush është opozita e ardhshme." - analizon Shkullaku për Tpz.al

Por a ka elektorati i djathtë besim tek Lulzim Basha? Për Armand Shkullaku, afrimiteti me Ramën ka krijuar një inflacion politik për liderin demokrat, i cili dita-ditës po humbet besueshmërinë.

"Në raportin e z.Basha me z.Rama unë mendoj që oshilacionet e mëdha çojnë në humbje të besueshmërisë, pra krijojnë inflacion. Pra ku një njeri e cilëson kreun e krimit të organizuar, po i the një gjë të tillë, me të nuk mund të kesh marrëveshje as i detyruar as jo i detyruar, nuk mund të kesh shtrëngim duarsh dhe as pakt. Megjithatë ne në Shqipëri jemi mësuar me këto akuzat e tmerrshme të bëhet pakt. Bëhet një pakt, bëhet një marrëveshje,  pastaj deklarohet që ky është ai krimineli që shkeli një marrëveshje, pastaj nesër mund të bësh një tjetër, kjo krijon inflacion politik, pra humbet besueshmërinë gradualisht. Unë mendoj që Opozita nuk ka bërë asnjë aksion për të treguar që 18 maji është një kapitull i mbyllur. Sepse nuk e di as vetë opozita nëse e ka mbyllur apo nuk e ka mbyllur." - thekson analisti i njohur.

Kritikat e Shkullakut nuk mungojnë as për LSI dhe as për PD, por më të forta janë personalisht për Lulzim Bashën.

"Këtu të gjitha forcat kanë treguar që në momentin e parë që i tregohet salsiçja me pushtetin, ngelen me dy këmbë si qenushet se kush e kush ta kapi përpara. Dmth, salsiçen e fundit e hëngri Basha në marrëveshjen e 18 majit. Zgjedhjet me 6 ministri, me një zëvendëskryeministri dhe ca drejtorë që mori." - ishte ironia e fortë e Shkullakut për Lulzim Bashën, në intervistën e dhënë për Tpz.al

/TPZ.AL/