AKTUALITET, 17 Dhjetor 2018, 18:48

Protesta e studentëve, Presidenti Ilir Meta ka një apel: Kërkesat e tyre të drejta dhe të realizueshme

Protesta e studentëve, Presidenti Ilir Meta ka një apel: Kërkesat

Presidenti Ilir Meta ka folur sot për protestën e studentëve dhe kërkesat e tyre.

Ai i ka cilësuar kërkesat e studentëve të drejta ndërsa ka apeluar për një bashkëpunim gjithëpërfshirës, për realizmin e tyre.

“Nuk mund të shmang apelin e përsëritur për të reflektuar me shpejtësi, me përgjegjshmëri dhe maturi ndaj protestës së studentëve që po zhvillohet në disa qytete kryesore të vendit.

Studentët prej ditësh janë hedhur në një protestë. Vërehet një konsensus i gjerë, se kërkesat e tyre janë të drejta, legjitime dhe të realizueshme.

Duhet një bashkëpunim gjithëpërfshirës për realizimin e kërkesave të tyre të drejta në interes jo vetëm të tyre por në të mirë të vendit. Rinia është pasuria më e madhe që duhet ti kushtojmë vëmendje. Duhet të bëjmë ndryshim për investim tek të rinjtë.

Kuvendi të reflektojë mbi kërkesat e tyre”, apeloi Presidenti Ilir Meta, ndërsa mori pjesë në ceremoninë diplomimit të studentëve të “Shkollës Politike”.