AKTUALITET, 8 Tetor 2017, 15:27

Në Shqipëri po e konsiderojnë si miqësore, por Italisë i duhet me patjetër fitorja. Ja përse?

Ndeshja përmbyllëse e fushatës kualifikuese të Botërorit “Rusi 2018”, ajo Shqipëri-Itali, duket se po merr nuancat e  një sfide miqësie në “Loro Boriçi” (nesër, ora 20:45, direkt në Tpz.al), por Italisë i duhet me patjetër fitorja ndaj Kuqezinjve.

Nëse nuk fiton ndaj Kombëtares sonë, Italia rrezikon të mos jetë “kokë grupi” në shortin e “play-off”-it, ku në secilën vazo do të jenë katër skuadra të forta dhe katër të dobëta, kjo në bazë të koeficienteve që janë ekipet në momentin që mbyllin eliminatoret.

Një barazim apo edhe një humbje do ta hiqte nga lista e të “privilegjuarve”. Për momentin, Italia ndodhet në vazon e të “fortëve”, por nëse nuk merr tri pikët me Shqipërinë, ajo mund të gjendet në vazon e të “dobëtëve”, çka mund të prodhojë një përplasje me Portugalinë e Kristiano Ronaldos apo Uellsin e Gareth Bejlit në fazën “play-off”.

Renditja përfundimtare nga ku varet dhe fati i Italisë ka të bëjë me rezultatin që do të kenë “axurrët” ndaj Shqipërisë, por edhe të skuadrave të tjera. Por, në rast se Italia nuk fiton në Shkodër, përllogaritjet mund ta çojnë Italinë në vazon e të dobëtave. /Dash Frashëri/TPZ.AL/