AKTUALITET, 8 Tetor 2017, 13:44

Drama e Ramës, rrezikon t'i ndalohen atletet e bardha në Parlament

Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë së shpejti "Kodin e Etikës" për deputetët. Ky dokument është hartuar me ekspertizën e OSBE-së.

Kodi i Etikës përmban rregulla specifike për deputetët. Ndër më të rëndësishmet është detyrimi për të refuzuar dhurata të cilat i jepen për shkak të detyrës.

Deputetët nuk duhet të përdorin fjalë të pahijshme, dhe të bëjnë sulme personale ndaj njëri tjetrit. Duke patur parasysh agresivitetin e parlamentit shqiptar, zbatimi i këtij rregulli duket se do të jetë i vështirë.

Një tjetër rregull që bën përshtype është edhe ai i veshjes. Deputetët duhet të "paraqiten me veshje zyrtare". Kjo gjë mund të kthehet në një problem serioz për kryeministrin Rama, i cili preferon të paraqitet me atlete në Kuvend. Nuk dihet nëse atletet e Ramës do të përbëjnë problem dhe do ta përjashtojnë atë nga seancat, por nëse do t'i qëndrojmë strikt përkufizimit të veshjes zyrtare, është e qartë se atletet nuk bëjnë pjesë në këtë lloj veshjeje. Megjithatë, Rama është udhëheqësi i vendit dhe gjasat janë që për të, të ketë tolerime, sidomos kur bëhet fjalë për gjëra që Rama i do shumë, siç janë atletet e bardha të shoqëruara me kostumet e qepura enkas për kryeministrin.

/ TPZ.AL /