AKTUALITET, 28 Shtator 2017, 11:35

Edi Rama bën përpjekje për të shpjeguar ndalimin e sinjalit, nuk harron reklamën për televizionin personal ERTV

Edi Rama bën përpjekje për të shpjeguar ndalimin e sinjalit,

Edi Rama, u përball sot me një lum akuzash nga opozita, pasi RTSH vendosi të kërkojë një tarifë për shpërndarjen e sinjalit për televizionet private. Rama mori fjalën në parlament, pasi sinjali ishte lejuar për të gjithë, dhe u mundua ta kalojë fajin tek ligji dhe tek TVSH.

Rama u shpreh se deri tani mënyra e transmetimit të seancave plenare, ka qenë një mënyrë komuniste, dhe se TVSH nuk mund të ketë ekskluzivitetin e këtij transmetimi.

"Deri më sot jemi në kushtet e një shërbimi komunist. Televizioni Publik nuk mund të ketë ekskluzivitet mbi hapësirën e jetës parlamentare."

Më tej Rama u mundua të shpjegojë se çfarë ndodh në vendet perëndimore.  Ai tha se Kuvendi, do të ketë një televizion të vetin, dhe më pas të gjithë do të mund ta marrin shërbimin nga ky televizion, njëlloj siç ndodh me ERTV-në, nga i cili të gjithë mediat mund të marrin shërbimin falas. Kryeministri  nuk harroi të bënte publicitetin e zakonshëm për "televizionin" personal ERTV, të cilin duket se e konsideron shpikjen më të madhe dhe më të dobishme të qeverisjes së tij.

"Edi Rama TV", është një shërbim i kontrolluar nga zyra e shtypit e kryeministrit, dhe si e tillë ajo nuk mund të zëvendësojë mbulimin që pmedia i bën takimeve dhe daljeve të kryeministrit. Transmetimi me regji të kontrolluar, është bërë normë në Shqipëri. Madje, kjo nuk ndodh vetëm me transmetimet LIVE, por edhe me kronikat e gatshme që pushteti i servir medias, e cila është e detyruar ti transmetojë.

Në fund të fjalës së tij kryeministri Rama shprehu dhe shqetësimin  për lodhjen e kameramanëve dhe regjisorëve në ditën e enjte, gjë e cila me themelimin e televizionit të kuvendit nuk do të ndodhë më. Prandaj nëse ka një lajm të gëzuar për ditën e sotme, është fakti se kameramanët do të lehtësohen shumë nga puna e ditës së enjte, sepse punën e tyre do ta bëjë vetë kuvendi.  / TPZ.AL /