AKTUALITET, 28 Shtator 2017, 10:23

Skandali, i dënuari me dhjetë vjet në Itali, gradohet komisar policie

Skandali, i dënuari me dhjetë vjet në Itali, gradohet komisar

I dënuar në Itali për trafik droge, por i graduar në Shqipëri si punonjës i forcave të rendit. Kjo është historia paradoksale e komisarit të policisë Dritan Xhindoli. Për katër vite me radhë ai mori disa detyra të rëndësishme në krye të policisë së shtetit. Sikundër raporton gazeta panorama arrestimi I tij është bërë nëpërmjet një fletëarresti të Interpolit. Raste të tilla të lidhjes së policisë me krimin ose të të bërit njësh mes tyre ka akuza të përditshme ndaj qeverisë.

 

Një ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit është arrestuar një javë më parë në Durrës, me qëllim ekstradimi në Itali, pasi rezultonte i dënuar atje me 10 vjet heqje lirie.

Ai është Dritan Xhindoli, me gradën komisar, i cili së fundmi ishte pjesë e strukturave në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, pasi ishte transferuar aty nga zv.drejtor i Kufirit të Vlorës, që ishte detyra më e lartë që ka mbajtur në karrierën e tij.

Shpallja e tij në kërkim, në formë zyrtare nga autoritetet italiane, është bërë më 9 qershor të vitit 2017. Me një shkresë të kësaj date, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar kërkon gjetjen dhe kapjen e Dritan Xhindoli, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për akuzat e vjedhjes dhe falsifikimit të dokumenteve.

Sipas shkresës së autoriteteve italiane, theksohet se 39-vjeçari Xhindoli është dënuar me 10 vjet heqje lirie nga Gjykata e Bolonjës. Urdhri për arrestimin e tij ka qenë edhe më i hershëm se kaq, por mësohet se është mbajtur i fshehtë, duke bërë çdo përpjekje që ai të mos zbatohet prej vitit 2013.

Ka qenë zyra e Qendrore e Interpolit që ka sjellë në Shqipëri vendimin e shpalljes së tij në kërkim, bashkëngjitur me vendimin e formës së prerë dhënë nga Gjykata e Apelit të Bolonjës, më 15 shkurt të vitit 2013.

Detyrat e komisarit

Në vitin kur drejtësia italiane e dënoi me 10 vjet burg, Dritan Xhindoli nisi ngritjet në detyrë, duke u emëruar fillimisht shef i Seksionit të Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Më herët ai kishte ushtruar detyra të ndryshme, si oficer i Policisë Gjyqësore, në disa sektorë të rëndësishëm, kryesisht në Policinë e Tiranës. Pasi qëndroi në këtë detyrë për një kohë të gjatë, Xhindoli u emërua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë si specialist në Departamentin e Krimit të Organizuar.

Ndërsa në vitin 2016, ai mori detyrën më të lartë, atë të zv.drejtorit të Kufirit të Vlorës, që e mbajti deri në fund të këtij viti, kohë kur autoritetet italiane i sugjeruan drejtorit të Përgjithshëm të Policisë shkarkimin e tij nga detyra, me qëllim që t’i hapnin rrugë ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Bolonjës.

Por në urdhrin e autoriteteve italiane, ai kishte emrin Artan Xhindoli dhe kjo solli një zvarritje të vendimit. Por krahasimi i gjurmëve të gishtave bëri që ai të identifikohej plotësisht, duke u provuar se Artan Xhindoli dhe Dritan Xhindoli ishin i njëjti person.

E megjithatë, kjo çështje u la sërish në harresë, madje më 24 maj të këtij viti, Xhindoli rezulton t’i jetë drejtuar Gjykatës Administrative duke kërkuar gradën kryekomisar, të cilën e pretendonte në bazë të vjetërsisë në punë dhe funksioneve që kishte kryer në Polici. Por kur mësoi se arrestimi i tij ishte shumë afër, vendosi të jepte dorëheqjen nga Policia. /Panorama/