TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Shumë zhurmë për asgjë”, është kjo premierë, e cila do të ngjitet në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Duke filluar nga data 7 tetor, komedia brilante e W.Shakepseare me regjinë e regjisorit italian Carlo Sciaçaluga dhe me aktorët: Myzafer Zifla, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Alert Çeloaliaj, Genci Fuga, Gjergj Mena, Endri Çela, Alban Musa, Frençeska Hysi, Esela Pysqyli, Ina Morinaj, do të jepet çdo të të Enjte, të Premte, të Shtune dhe të Diele ora 19:00.
Femra në një botë meshkujsh, ose meshkuj në një botë të femrave. Përballja mes gjinive. Në sfond të një lufte lumturisht të fituar, ushtarët fisnikë të Don Pjetrit të Aragones, në kthim prej luftës, mbërrijnë zhurmshëm në shtëpinë e Leonatit, guvernatorit të Mesines. Bota mashkullore depërton dhunshëm në atë femërore: konfliktet dhe dashuritë do të jenë të pashmangshme. Në botën “e forte” të meshkujve, virtytet dominuese janë virtytet e meshkujve dominues: nderi, vlerat, vëllazëria mes ushtaresh, një vetendërgjegjësim paksa i sëmurë. Bota “e dobët” e femrave është viktimë e bastisjes mashkullore në rastin e Heros, vajzës së Leonatit, edukuar nga i ati për të qenë ekskluzivisht grua, e cila akuzohet pa të drejtë për tradhti bashkëshortore; ndërkohë te Beatricja, kushërira e saj, femrat gjejnë një përfaqësuese të seksit të tyre që përdor mjeshtërisht fjalët dhe intelektin për të krasitur armët mashkullore. Është një komedi, e nuk është e nevojshme t’a themi, mbaron mire, por përplasjet janë të ashpra, dhe vetëm falë vullnetit dhe inteligjencës ngjarja nuk përfundon në tragjedi. Nëse qenia njerëzore është e gatshme të ndryshoje idetë apo ndjenjat e veta, dhe nuk i ngurtëson ato verbërisht, edhe fati më i trishtë mund të shndërrohet në gëzim. Dhe kjo është ajo ç’ka bëjnë Benediku dhe Beatricja, njëri misogjen cinik, tjetra beqare profesioniste, armiq të përbetuar të martesës por që, përballë fatit të tmerrshëm të dashurisë mes dy më të rinjve Klaudit dhe Heros, zbulojnë se dashurojnë njeri - tjetrin. Braktisin rolin që vetë e kishin krijuar, e që prej të cilit ishin burgosur.
Tema është e përjetshme : mashkulli ka nevojë për femrën dhe anasjelltas. Kjo dihet. Dhe dihet sa e vështirë është ta gjejmë njëri tjetrin. Por ajo ç’ka Shakespeare na thotë, ndoshta mbi të gjitha, në këtë komedi, është kjo : triumfi i qenies njerëzore arrihet kur i besojmë inteligjencës, fantazisë, lirisë së mendimit praktik. Ngurtësia është vdekje, dakortësia me vetvetën përtej limiteve është shpesh edhe shenjë idiotësie. Në fakt, tragjedia rrëfen fatin e një individi të paafte për të ndryshuar realitetin e tij, dhe arrin deri aty sa te shkatërrojë vetë botën në të cilën jeton, ndërsa komedia rrëfen fatin e një komuniteti që, duke ndryshuar, e përmirëson jetën për gjeneratat e ardhshme.