TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Erion Veliaj, e nisi ditën me një intervistë nga tarraca e famshme, multifunksionale, e Bashkisë së Tiranës.
Zoti Veliaj dukej mjaft komod me intervistuesen, e cila sigurohej që në çdo tre fjali t'i shprehte Veliajt mirënjohjen për punën e madhe që ka bërë në Tiranë. Intervistuesja e pyeti kryebashkiakun, nëse ka menduar ta lërë këtë punë për shkak të lodhjes. Veliaj u shpreh se ka ndodhur që ta mendoj këtë gjë, sepse në Tiranë ka shumë vandalë që prishin punët që kryetari bën çdo ditë.
Zoti Veliaj foli edhe për koston e punëve publike në Tiranë, dhe u shpreh se në krahasim me Shkupin, ai ka kursyer shumë para. Çuditërisht kryetari zgjodhi si shembull Shkupin, i cili është një qytet ku janë derdhur shumë para në mënyrë abuzive dhe të shfrenuar për shkak të një dëshire për të manipuluar historinë, megjithatë fakti se Veliaj nuk është çmendur ende për të shpenzuar aq para sa Gruevski, nuk e bën punën e tij me kosto më të ulët.
I pyetur për kritikat që i bëjnë qytetarët se del shpesh në televizor dhe reklamon edhe punë të rëndomta, Veliaj u shpreh se ata që nuk duan ta shohin mund të fikin televizorin, apo të largohen nga faqja e tij e facebook-ut, përgjigje kjo që e jep sa herë pyetet për këtë çështje. Këta persona Veliaj i quajti “trollsa”, një fjalë anglisht e përshtatur në shqip, enkas nga Veliaj, që do të thotë njerëz që vënë në lojë të tjerët. Mesa duket Veliaj shqetësohet edhe nga komentuesit në rrjetet sociale, sepse nuk dimë të ketë ndonjë televizion që ta ketë vënë në lojë kryebashkiakun, përkundrazi, mediat kanë veç fjalë të mira, dhe kronika 5 minutëshe në formë reklame për të.
I pyetur nëse do të pranonte të ishte Kryeministër, zoti Veliaj e shmangu përgjigjen. Ai tha se qytetit i shkojnë punët mirë kur ka një kryetar bashkie të mirë dhe një kryeministër të mirë, duke e konsideruar edhe veten por edhe Edi Ramën, si shumë të mirë në detyrat përkatëse. / TPZ.AL /