AKTUALITET, 18 Janar 2018, 15:16

Hungaria bën gati ligjin “Stop Soros”

Hungaria bën gati ligjin “Stop Soros”

Qeveria hungareze prezantoi dje një ligj për trajtimin e emigracionit të paligjshëm, që sipas saj po kërcënon stabilitetin në Europë dhe është nxitur nga financuesi amerikan, Xhorxh Soros. Kryeministri Viktor Orban e ka sulmuar ashpër Sorosin, i cili i ka cilësuar deklaratat e tij shtrembërime dhe gënjeshtra që kanë për qëllim të krijojnë një armik të jashtëm të rremë.

Paketa e ndryshimeve ligjore, që njihet ndryshe si “Stop Soros”, përfshin regjistrimin e detyrueshëm të organizatave joqeveritare që “mbështesin emigracionin e paligjshëm”.

Zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, tha se një taksë prej 25 për qind do të vendoset për donacionet e huaja që grumbullohen nga OJQ të tilla, ndërsa aktivistët e tyre mund të përballen me urdhra kufizues që i ndalojnë ata t’u afrohen kujfijve të jashtëm të BE-së në Hungari, të cilët u përforcuan në vitin 2015, për të ndaluar hyrjen e emigrantëve.

Detaje të tjera të këtij ligji pritet të zbulohen kur ai të prezantohet publikisht sot. Mediat proqeveritare kanë paralajmëruar se ky ligj mund të çojë në ndalimin e Sorosit për të hyrë në Hungari, pavarësisht se ka shtetësi amerikane dhe hungareze.

87-vjeçari Xhorxh Soros, një hebre i lindur në Hungari, ka mbështetur për vite me radhë liberalizimin dhe hapjen e kufijve në Europën Lindore. Por kjo e ka çuar në përplasje me nacionalistët e së djathtës, sidomos në Hungari.

Qeveria e Orbanit ka bërë të qartë se do t’i kundërshtojë emigrantët me çdo mjet. “Emigrimi i paligjshëm masiv është një problem që prek të gjithë Europën, duke u kthyer në një rrezik serioz për sigurinë”, thuhet në njoftimin e saj.

I pyetur në lidhje me implikimin e Sorosit në këtë pikë, zëdhënësi i qeverisë tha: “Nëse zbulohet se Soros është përfshirë në aktivitete të tilla, d.m.th. ka organizuar emigracionin e paligjshëm, atëherë forca e ligjit do të bjerë mbi të”. Por Kovacs nuk pranoi të jepte detaje më tej në lidhje me këtë.

Vitin e shkuar, qeveria e kryeministrit Orban paraqiti një masë sipas të cilës OJQ-të që financohen nga jashtë duhet të regjistrohen nga shteti. Kjo u shoqërua me reagime në BE dhe SHBA.

Komisioni Europian deklaroi se do ta çojë në gjykatën më të lartë europiane ligjin e Hungarisë për OJQ-të.

Orban pritet të sigurojë një mandat të tretë në zgjedhjet e 8 prillit.