TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pas shumë debatesh të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, më në fund është arritur marrëveshja për komisionin Ad-hoc që do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe atë të Gjyqësorit.
Gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit të Ligjeve anëtarët kanë miratuar projekt vendimin për krijimin e nënkomisionit Ad-hoc që do të bëjë përzgjedhjen e anëtarëve të trupës së KLGJ dhe KLP.
U vendos që në radhët e mazhorancës në këtë nënkomision do të jetë Ulsi Manja, në postin e kryetarit dhe deputetet Klotilda Ferhati dhe Vasilika Hysi si anëtare.
Opozita do të përfaqësohet nga Oerd Bylykbashi i PD-së, i cili do të jetë nënkryetar dhe Nasip Naço i LSI-së.
Gjatë mbledhjes së sotme deputetët e Partisë Demokratike, Eduard Halimi dhe Enkejeld Alibeaj deklaruan se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të KLGj e KLP është shoqëruar me shumë problematika.
Halimi hodhi poshtë mundësinë e braktisjes së komisionit nga opozita, pasi sipas tij pjesëmarrja e tyre e pengon mazhorancën në tentativën e saj për të kapur sistemin.
“Bojkoti i këtyre proceseve do i japë mazhorancës mundësinë për kapjen e drejtësisë. Me qëndrimin e PD për të marr pjesë në procesin e ngritjes se organeve të reja të drejtësisë ne i bëjmë një shërbim të madh vendit”, tha deputeti i PD.
Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja i kërkoi opozitës që të ruajë një rol konstruktiv në këtë proces.
“Shpresojmë që deri në fund do të luani rolin tuaj konstruktiv në reformën në drejtësi”, tha ai.
Më i ashpër në fjalën e tij ishte deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, i cili tha se kandidatët në garë nuk i plotësojnë kushtet dhe disa prej tyre janë të politizuar.
“Fjala e ONM u tha se do të ishte urdhër. Institucioni tha se tre kandidatë nuk i plotësojnë kushtet, por Sekretari i Kuvendit i kualifikoi, duke thyer ligjin dhe besimin e shqiptarëve. Pse nuk i respektoni ndërkombëtarët. Në rastin e kryeprokurorit ju u betuat për opinionin e tyre, por tani pse nuk e dëgjoni ONM. U nisëm të bënim reformë në drejtësi nga Xhoni, Fernando, Hahn dhe Juncer dhe përfundojmë t’u japim shqiptarëve drejtësinë e Gencit”, deklaroi Alibeaj.