AKTUALITET, 18 Janar 2018, 13:21

Vrasja e mafiozit grek, Alket Rizai rrëfehet nga qelia: Mos më ngatërroni, kisha kohë që..

Një ditë më parë në Athinë u ekzekutua me 15 plumba një prej miqëve të Alket Rizait, Vasilis Stefanakos. Ishte një ekzekutim i tipit mafioz. Mediet greke shkruajtën se ai e kishte ndihmuar jo vetëm një herë Alket Rizain të arratisej nga burgu.

Ndërkohë “Gazeta Shqiptare” shkruan se Alket Rizai ka deklaruar për të lidhjen me të ekzekutuarin i njohur si një prej mafiozëve ,më të mëdhenj në Athinë.

Të paktën mua mos më ngatërroni me këtë çështje, se unë s’kisha lidhje me atë. Kishim kohë që i kishim prishur muhabetet, e nuk dua që mediat shqiptare të më përmendin. Për këtë rast më erdhi e policia e më pyeti, por unë nuk kam asnjë dijeni për vrasjen”.

Alket Rizai në rrëfimin e tij thotë se: “Me Vasilis Stefanakos ishim thjesht të njohur dhe se ishim akuzuar në 2006 bashkë. Po nuk kemi asnjë lidhje me njëri-tjetrin

Ngjarja

Sipas mediave greke dy persona me një motor të vjedhur i janë afruar automjetit që drejtonte 57-vjeçari Stafanakos dhe e kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi. Vasilis Stefanakos ishte liruar para një viti e gjysmë nga burgu, pas 8 vitesh heqje lirie.

I konsideruar edhe si një nga baronët e burgjeve, ai ka kaluar një pjesë të madhe të jetës së tij pas hekurave të qelisë, ndërsa ka pasur edhe një faqe personale të internetit, të cilën e rifreskonte thuajse përditë. Atij i atribuohet, ndër të tjera, roli udhëheqës në aktet e mafies greke, si dhe një marrëdhënie bashkëpunimi me anëtarët e grupit terrorist “Komploti i celulave të zjarrit”.

Gjithashtu, ai ishte dënuar me 21 vite e 3 muaj burg, si autor i një vrasjeje, për të cilën akuzohet Alket Rizai, ndërsa konsiderohet edhe si organizatori dhe financuesi i arratisjeve spektakolare të tij nga burgu famëkeq i Korridhalosë, bashkë me Vasilis Paleokostas. Në vitin 2006, ai ishte dënuar edhe me 14.5 vite për implikime në veprimtari kriminale. Polica ka hapur një proces hetimi për të gjetur se kush fshihet pas kësaj vrasjeje.