AKTUALITET, 27 Shtator 2017, 17:40

Administratorët e pallateve, Veliaj punëson pleqtë e Tiranës

Administratorët e pallateve, Veliaj punëson pleqtë e Tiranës

Në një përpjekje për të disiplinuar qytetarët për mirëmbajtjen e ambjenteve të përbashkëta, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka nisur prej disa kohësh rekrutimet për Administratorët e rinj të pallateve.

Ky ishte një premtim i Veliajt, në zgjedhjet e vitit 2015, i cili sot e kësaj dite jo vetëm që nuk është zbatuar, por nga ana tjetër po kthehet edhe në një proces qesharak. Aplikimet për pozicionin e Administratorit, kanë qënë të pakta, kjo për shkak se banorët e pallateve rallë-herë e gjejnë gjuhën mes tyre për të caktuar një lider.

Por i gjithë ky proces duket një fasadë, pasi aplikantët për këto pozicione pune, janë shumica pleq që kanë dalë në pension. Ramazani, është njëri prej tyre, pensionist, i cili rend çdo ditë për të marrë pjesë në trajnimet që bën Bashkia e Tiranës.

“Më duhet të shkoj në drekë për trajnim. Atje duhet të mësojmë sesi të sillemi me banorët e pallatit dhe si t’u gjendemi pranë në problemet që kanë. Jam i gatshëm të jap kontributin tim të vyer për pallatin që do të administrojë” – shprehet i emocionuar Ramazani.

Me shumë gjasa, asnjë prej këtyre pensionistëve nuk do t’i shërbej dot komunitetit, nga njëra anë për shkak të pamundësisë fizike dhe nga ana tjetër për shkak të mentalitetit të qytetarëve të cilët ende nuk e pranojnë një Adminstrator pallati.

Shumica e familjeve do të shokohen kur në faturat e tyre të ujit, do të shtohet një tarifë shtesë, për pagesën e një Administratori, i cili është një pensionist.

Këto pseudo-nisma të marra nga Bashkia e Tiranës, kanë vijuar edhe me krijimin e Këshillave të Lagjes dhe përzgjedhjen e antarëve të saj./Tpz.al

*Ramazani është një pseudonim i vendosur nga Tpz.al, kjo për të mbrojtur pensionistin i cili ka nisur trajnimin për Administrator.