AKTUALITET, 7 Tetor 2017, 21:04

Arrestohet pedagogu shqiptar i juridikut për terrorizëm në Malajzi, fotoja e 35-vjeçarit

Një pedagog i jashtëm shqiptar i juridikut në një prej universiteteve publike shqiptare u arrestua me 1 tetor në shtetin e Selangorit, një prej 13 shteteve që formojnë të Malajzinë, pasi shqiptari 35-vjeçar ishte në kontakte me militantët e Shtetit Islamik. Lajmi u dha nga inspektori i Përgjithshëm i Policisë, Mohamad Fuzi Harun.

“I dyshuari, është një pedagog në jurisprudencë në një nga universitetet publike (shqiptare), i cili u arrestua në Selangor, pasi ai kishte lidhje me anëtarët të grupit terrorist të Shtetit Islamik përtej oqeanit”, citohet nga portali Freemalaysiatoday.com inspektori i policisë Mohamad Fuzi Harun, në lidhje me arrestimin e shqiptarit nga forcat e sigurisë së Malajzisë (Sosma).

Gjatë 10 viteve të fundit, të paktën 120 shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova janë bashkuar me Shtetin Islamik dhe të paktën 20 prej tyre janë vrarë, kryesisht në Siri.

OPERACIONI PER ARRESTIMET

Operacionet, që u përmbyllën me arrestimin e tetë militantëve, përfshirë dhe atë të lidhur me grupin Abu Sayyaf dhe Shtetin Islamik, u kryen në shtetet e arkipelagut të Malajzisë: Sabah, Selangor dhe Perak midis 27 shtatorit dhe 6 tetorit.

Fillimisht u arrestuan në Sabah, dy malajzianë, dy filipinas dhe një filipinas me qëndrim të përhershëm në Malajzi, të cilët u akuzuan se kishin ndihmuar anëtarët e grupit Abu Sayyaf të futeshin në Malajzi përmes Sabahut.

SULMET E PARASHIKUARA

Një ish-zyrtar i lartë i Shërbimit të Brendshëm, edhe ai i arrestuar, tha se kishin planifikuar sulme në vende lutje që u përkisnin myslimanëve, krishterëve dhe hinduve, duke dashur të nxisnin konflikte fetare.

Në Malajzi është aktiv një grupim i Al-Kaedës, Tandzim Al-Qaeda Malaysia (TAQM). Policia malajziane ka arrestuar disa qindra njerëzë të dyshuar se janë të lidhur me grupet militante.

Malajzia është në gjendje thuajse të përhershme alarmi, pasi  vrasës të lidhur me Shtetin Islamik kanë kryer shumë vrasje në Xhakarta, kryeqytetin e Indonezisë. /d.f/TPZ.al/