AKTUALITET, 17 Nëntor 2017, 19:34

Dhunohet barbarisht një i burgosur në Fier, ngjarja mbahet e fshehtë

Dhunohet barbarisht një i burgosur në Fier, ngjarja mbahet e

Komiteti Shqiptar i Helsinkit denoncon një rast dhune në burgjet shqiptare. Ngjarja ka ndodhur në burgun e Fierit, ku gardianët kanë ushtruar dhunë ndaj të burgosurit me inicialet T.D. Gjithcka është mbajtur larg vëmendjes së mediave. Denoncimin pranë KSHH e ka bërë e ëma e të burgosurit.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) bën me dije se u njoftua nga e ëma e të dënuarit T.D., i cili është duke ekzekutuar dënimin në burgun (IEVP) e Fierit, se djali i saj është keqtrajtuar nga punonjësit e sigurisë në këtë institucion.

KShH e vlerësoi njoftimin e mësipërm dhe e verifikoi gjendjen në vend, më dt. 16.11.2017. Në përbërje të grupit të vëzhgimit të KShH-së ishte edhe një mjek ligjor.

Gjatë këtij verifikimi rezultoi se më dt. 14 Nëntor 2017, rreth orës 12:00, i dënuari ndodhej në ajrim së bashku me të burgosurin tjetër, me të cilën bashkëjeton në të njëjtën dhomë, në sektorin e observimit. Në këtë kohë, i dënuari është thirrur nga Grupi i Sigurisë për të ushtruar kontroll në dhomën e tij.

Nga ky ekzaminim u konstatuan 5 dërmishtje nën nivelin e artikulacioneve të gishtërinjve të dorës së djathtë, një dërmishtje gjatësore në trajtë shiriti në pjesën e brendshme të kyçit të dorës së djathtë dhe ekimoza në pjesën e mesme të brendshme të parakrahut të majtë dhe të djathtë.

KShH reagon publikisht për këtë verifikim, sepse raste të tilla janë të përsëritura. Kështu psh., më dt. 30.09.2017 është keqtrajtuar i dënuari V.G, në burgun e Peqinit dhe kjo çështje është në hetim penal. KShH u bën thirrje organeve përkatëse dhe veçanërisht drejtuesve të burgjeve që të marrin masa parandaluese, përfshirë edhe rritjen e ndjenjës së sigurisë për të gjithë të paraburgosurit dhe të burgosurit në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.