AKTUALITET, 17 Nëntor 2017, 13:56

Basha me zv/ministrin e Jashtëm të Austrisë: Qeveria e paralizuar nga krimi dhe korrupsioni

Basha me zv/ministrin e Jashtëm të Austrisë: Qeveria e paralizuar

“Qeveria është e paralizuar tërësisht për shkak të situatës së krijuar në vend nga zbulimi i lidhjeve të saj me trafikun ndërkombëtar”. Kështu i tha kreu i PD-së Lulzim Basha, Zëvendësministrit të Jashtëm të Austrisë, Michael Linhart, gjatë takimit që zhvilloi paraditen e së premtes me të.

Më tej ai tha se, nga  kultivimi i kanabisit në Shqipëri po kalohet tek trafikimi i heroinës dhe kokainës dhe pastrimi i parave në fusha të caktuara të ekonomisë si ndërtimi dhe projektet PPP.

Një tjetër problematik e diskutuar me shumë shqetësim nga ana e shefit të PD-së, ishte dhe emigrimi rekord i shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian. Dhe kjo sipas Bashës ka ardhur si pasojë e zhgënjimit nga qeverisja, e cila përfaqësohet në çdo nivel me njerëz të inkriminuar dhe të korruptuar.

“Bashkimi Europian nuk mund ta injorojë këtë problematikë, pasi i rrezikohet kredibiliteti”- tha Kryetari Basha.

Shembja e lidhjeve të krimit me politikën është urgjencë kombëtare për të ndalur marshimin e krimit të organizuar në qeverisje dhe ekonominë e vendit dhe për të rikthyer legjitimitetin e qeverisjes.

Partia Demokratike beson se realizimi i reformës zgjedhore, duke përfshirë sistemin elektronik të votimit, është një nga mënyrat për të dalë nga kriza dhe për të kthyer besimin tek njerëzit.

Kryetari i Partisë Demokratikë, Lulzim Basha, e falenderoi Zv/ministrin e Jashtëm Linhart për mbështetjen e fuqishme të Austrisë dhe, veçanërisht të kryeministrit Kurz, për integrimin europian të Ballkanit.

Në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, Austria do të marrë Presidencën e Bashkimit Europian dhe Zv. Ministri i shprehu zotit Basha mbështetjen e plotë të vendit të tij për zbatimin e reformave dhe arritjes së rezultateve konkrete.

TPZ.AL