Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Niko Brahimaj, deklaroi se në dosjet që ka në hetim policia janë edhe disa nga emrat e përmendur nga Ambasadori Donald Lu në deklaratën e fortë që bëri po këtë të hënë.
“Policia ka dosje ku dyshohet se janë të përfshirë personat e përmendur nga Donald Lu.. Unë nuk mund të flas më shumë për arsye hetimore”, tha Niko Brahimaj, i cili pavarësisht kësaj, ai nuk guxoi të përmendte emrat e eksponentëve kriminal si Emiljano Shullazi apo Klement Balilit.
Brahimaj tha se policia ka evidenca për grupet kriminale që përmendi kryediplomati amerikan dhe shtoi se këto i janë raportuar prokurorit për Krime të Rënda, me të cilin tha se ka bashkëpunim të mirë.
“Zullimi është trashur shumë dhe litari i lidhjes është drejt këputjes. Policia është tejet e përgjegjshme për të kryer detyrat. Prokuroria e Krimeve të Rënda na ka mbështetur dhe kjo do të vazhdojë”, deklaroi ai.
Drejtori i Krimeve të Rënda thotë se një pjesë e krimeve në vend lidhen drejtpërdrejtë me trafikun e hashashit të kultivuar në vend, ndërsa tha se një pjesë e dosjeve të vrasjeve të bujshme të mbetura pa autor do të rihapen.
“Ne do të merremi edhe me dosjen e ish-deputetit Xhindi, që do të rihapet. Edhe me dosjen Santo, edhe me dosjen e oficerit të policisë, edhe me dosjen e gjyqtarit e të tjerë e të tjerë”, u shpreh ai.
Sipas Brahimajt, viti 2016 nuk është viti me më shumë problematika sa i takon kriminalitetit.
“Ka pasur probleme të mëdha edhe në 2011 dhe në 2009, por tani litari tani po pritet dhe po shkon në fund”, u shpreh ai.
Brahimaj foli dhe në lidhje me përplasjen e makinës së zv/drejtorit të policisë në Elbasan nga një ‘Audi’ i blinduar duke e ka cilësuar si veprim të duhur reagimin e forcave të policisë atë natë.
“Në diskutim edhe me drejtoritë e tjera, qoftë me të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, qoftë të Drejtorisë së standardeve, qoftë me drejtorinë vendore në Elbasan kemi arritur në konkluzionin që janë veprimet tona janë tërësisht ato që duhet të kryej policia në një orë të vonë”, - tha ai./Tch