AKTUALITET, 2 Tetor 2017, 19:00

Pse dështojnë trajnerët italianë në Shqipëri?

Pse dështojnë trajnerët italianë në Shqipëri?

Mark Juliano është italiani i radhës që drejton një skuadër në Shqipëri. Ish-lojtari i Juventusit mbërriti te Partizani me bujë. I propozuar nga një emër simbol – për të mirë dhe për të keq – i futbollit italian, Luçiano Moxhi.

Por, aventura e tij te skuadra e kuqe deri tani është një dështim. Asnjë fitore në katër ndeshje e deritanishme, asnjë gol i shënuar nga sulmi i kuq. Edhe pse në letër, skuadra e Partizanit kushtonin disa milionë, në fushë ajo nuk vlen asnjë euro. Juliano është trajneri i 11-të italian që drejton një skuadër në Shqipëri.

Më parë kanë qenë: Tiziano Gori (Erzeni, Partizani), Leonardo Menikini (Tirana), Mauro De Vekis (Kamza), Roberto Sorrentino (Teuta), Baldo Ranieri (Vllaznia), Ernestino Ramela (Flamurtari), Andrea Agostineli (Partizani, Skënderbeu), Adolfo Sormani (Partizani), Mark Iuliano (Partizani), Xhino Gargano (Tërbuni). Edhe 10 të tjerët nuk ka patur sukses: ose janë larguar në mes të edicionit, ose nuk iu rinovuar kontratat për një sezon të dytë.

TIZIANO GORI

Pas 55 vjet “shterpësie”, italiani i parë i ardhur në Shqipëri është Ticiano Gori, i cili mori Erzenin e Shijakut në sezonin 2001-2002. Ticiano Gori e la Erzenin në javën 10-të mbas humbjes 2-0 në Durrës me Teutën në vendin e 11-të. Shtatë javë futbollistike më pas, Ticiano Gori mori drejtimin e Partizanit (pas shkarkimit të Shpëtim Duros), duke i siguruar skuadrës së kuqe një vend në Kupën Intertoto.

LEONARDO MENIKINI

Në sezonin 2005-2006, Leondardo Menikini u bë trajneri i dytë italian,  që drejtoi një skuadër shqiptare. Menikini ishte një trajner i vërtetë profesionist, një teknik karizmatik. Nuk u kuptua aq sa duhet dhe u largua pas katër muajsh, pas një barazimi të bujshëm Tirana-Shkumbini 4-4 në “Selman Stërmasi” (java 11, sezoni 2005-2006).

MAURO DE VEKIS

Mbërriti në janar të vitit 2012, duke zëvendësuar Ernest Gjokës te Kamza. Italiani 44-vjeçar, erdhi në Shqipëri në kohën kur marrëdhëniet e kryebashkiakut Xhelal Mziu me presidentin Naim Qarri ishin të shkëlqyera. Italiani kishte punuar si trajner në skuadra jo të nivelit të lartë, porse tek Foljaneze apo Real Rimini. Rezistoi deri në fund të sezonit 2011-2012, duke mos drejtuar më dot një ekip tjetër në Shqipëri.

ROBERTO SORRENTINO

Italiani mori drejtimin e Teutës, më 13 nëntor të vitit 2013, duke zëvendësuar Gugash Magani. Edhe atëherë, Roberto Sorrentino erdhi si pjesë e marrëveshjes së Teutës me shoqërinë zvicerane “Gea Sport”. Pritej shumë prej tij, por Sorrentino nuk ka asnjë gjurmë. U shkarkua pas vetëm tre muajsh, më 25 shkurt 2014.

BALDO RANIERI

Trajneri Baldo Raineri erdhi në krye të 9 herë kampionëve të Shqipërisë si pjesë e marrëveshjes Bashkia e Shkodrës-Shoqëria zvicerane “GEA” në fillim të sezonit 20145-2015. Baldo Raineri ishte trajneri i tretë i huaj i Vllaznisë, pas Haxhiosmanoviçit (fitoi 1 kampionat, 1 Kupë e 1 Superkupë) dhe gjermanit Ulrih Shulce. Ai solli edhe staf italian me vete. Italo-zvicerani Baldo Ranieri, e drejtoi Vllazninë deri në prill 2005, për 24 javë duke grumbulluar 27 pikë. Ai u shkarkua nga stoli i shkodranëve, pas barazimit 1-1 të Vllaznisë në “Loro Boriçi” ndaj Elbasanit. Vendin e tij e zuri Luan Zmijani.

ERNESTINO RAMELA

Përpara se të pasonte Ernert Gjokën te Flamurtari në nëntor 2014, Ernestino kishte Serinë C1 dhe C2 me ekipe si Piacenza, Novara, Pro Patria, Legnano, Montebelluna, Solbiatese, Oltrepo, Como, Karoneze në Itali, por dhe Queretaro e Pachuca në Meksikë dhe Chiasso në Zvicër. Gjithsesi, aventura e tij te klubi vlonjat që një sezon më parë kishte fituar Kupën e Shqipërisë me Ernest Gjokën, zgjati shumë pak deri në prill 2015. Ramella debutoi në stolin kuqezi ndaj Apolonisë (1-1) më 8 tetor të vitit të shkuar, dy ditë pas largimit të Gjokës. Në 20 javë të drejtuar prej tij, Flamurtari, ka mundur të grumbullojë vetëm 35 pikë, teksa pësoi shtatë humbje radhazi.

ANDREA AGOSTINELI

Agostinelli u prezantua te Partizani në ditët e para të janarit 2016, por aventura e tij zgjati shumë pak. Një ceremoni e bukur, por një fund i hidhur. Italiani zëvendësoi Sulejman Starovën. Me një karrierë simpatike si lojtar dhe me një listë ekipesh si trajner (Astrea, Mantova, Pistioise, Ternana, Piacenza, Crotone, Triestina, etj), me kulmin e tij te Napoli (qershor-nëntor 2003), Agostinelli nuk ia doli të sjellë titullin e munguar te Partizani. Klubi nuk ia rinovoi kontratën në fund të sezonit, edhe pse të kuqtë morrën pjesë në Europa League. Aventura e Andra Agostinelli vazhdoi te Skenderbeu, kur pasoi Mirel Josën, por dhe aty u shkarkua shume shpejt: qershor-dhjetor 2016.

ADOLFO SORMANI

Klubi kryeqytetas prezantoi trajnerin italian Adolfo Sormani, më 1 korrik 2016, por pas 2 muajve e gjysmë, 51-vjeçari nuk arriti të mbijetonte në stolin e 15-herë kampionëve, pavarësisht kualifikimit historik në turin e tretë të UEFA Chamions League. Pas 5 javëve të para të Kategorisë Superiore, Partizani grumbulloi 8 pikë, 7 më pak se Skënderbeu kryesues. Humbja e fundit në Kukës se vulosi fatin e trajnerit që erdhi në vendin tonë mes pritshmërive të mëdha, duke vendosur si objektiv edhe vazhdimin e projektit të nisur nga klubi për rritjen e mëtejshme të sistemit zinxhir. Sormani u shkarkua, më 10 tetor 2016. Vendin e tij e zuri Sulejman Starova, me këtë të fundit që ia la vendin po një italiani, Mark Iuliano.

XHINO GARGANO

Trajneri modest italian pasoi Viktor Gjonin në stolin e Tërbunit të Kategorisë së Parë në shkurt 2014. Më pari ai ishte këshilltar i klubit pukjan. Gargano pati një aventurë të shkurtër disa javore në sezonin 2013-2014 te Tërbuni.

MARK IULIANO

Prezantim i bujshëm te skuadra e Partizanit. Lojtar kampion me Juventusin, por me klube modeste si trajner: Pavia, Latina dhe Como. Mbetet për t’u parë, përpara ka një objektiv të madh. Klubit të kuq i mungon trofeu prej 25 vjetësh. Deri tani mund të konsiderohet një dështim i plotë. Rezultatet e thonë. Mjafton që është vendi i fundit në renditje dhe asnjë fitore në katër javë. Se kur do ta shkarkojnë apo do të largohet është çështje kohe. Numërimi mbrapsht ka filluar. /Dash Frashëri, TPZ.AL/