AKTUALITET, 1 Tetor 2017, 10:18

Vjen përherë të parë në Tiranë "Balkan Film Market"

Vjen përherë të parë në Tiranë "Balkan Film

Në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, programit Evropa Krijuese dhe Ministria e Kulturës duke filluar që nga nesër deri në 7 tetor, në Tiranë nis rrugëtimin e tij edicioni i parë i BALKAN FILM MARKET (BFM). Ky takim rajonal Ballkanik do të shoqërohet me pjesëmarrjen e ministres Mirela Kumbaro.

 

BFM është një ngjarje për skenën ballkanike të filmit, sepse ajo mbledh së bashku disa nga producentët më të suksesshëm të kinemasë evropiane të viteve të fundit, përfshirë këtu fitues të Palmës së Artë të Kanës dhe Ariut të Artë në Berlin dhe çmimeve të tjera prestigjioze në botë dhe iu jep një mundësi reale kineastëve ballkanikë të prezantojnë projektet e tyre në zhvillim përpara tyre, me shpresën që të angazhohen seriozisht në përzgjedhje për bashkëpunimet e tyre të ardhshme nga rajoni i Ballkanit.

 

Në BFM do të marrin pjesë jo vetëm përfaqësuesit e qendrave të kinematografisë të vendeve të Ballkanit, por edhe shumë nga kompanitë dhe përfaqësuesit më aktivë në koproduksione të kinemasë ballkanike dhe asaj evropiane. Italia do të jetë partneri kryesor i këtij edicioni dhe dhjetëra producentë e distributorë italianë kanë konfirmuar tashmë praninë e tyre.

 

Përgjatë këtyre ditëve do të zhvillohen një seri panelesh, që synojnë jo vetëm të hedhin dritë mbi situatën e kinematografisë kontemporane ballkanike, por edhe të japin zgjidhje dhe të inkurajojnë një hop madhor në bashkëprodhime rajonale, edhe me ato evropiane.

 

Në aspektin edukativ, bazuar në suksesin e edicionit të shkuar të workshopit të zhvillimit të skenarëve ALBASCRIPT, për BFM është ideuar formati i ri ALBASCRIPT PLUS, si një workshop i hapur tashmë për skenarë nga mbarë rajoni i Ballkanit.

Në këtë takim do të marrin pjesë drejtuesit e Media Desk të Shqipërisë, Serbisë, Kroacisë, Malit të Zi, Bosnjes, Sllovenisë, Maqedonisë, Greqisë, Italisë, së bashku me drejtuesit e Qendrave Kombëtare Kinematografike të këtyre vendeve.