AKTUALITET, 30 Shtator 2017, 15:52

Pas tharjes së palmave tani kryeministrit i heqin edhe dritat

Pas tharjes së palmave tani kryeministrit i heqin edhe dritat

E ndërtuar me krenari nga Kryeministri Rama, nëpërmjet palmave ekzotike dhe ndriçimit flakë të kuq aksi Kashar Rinas tashmë është I zhytur në errësirë të plotë. Sikur të mos mjaftonte tharja e palmave gjë për të cilën kryeministri Rama tek emisioni "Të Paekspozuarit" fajësoi kushtet ekstreme të motit, tashmë është grabitur edhe kablli i ndriçimit për këtë aks rrugor.

Firma mirmbajtëse ka kallzuar disa herë pranë komisariatit nr 6 në kryeqytet hajdutët të cilët edhe kësaj here ja kanë dalë “të ikin në drejtim të paditur.”

Aksi Kashar Rinas është një ndër rrugët me më shumë lëvizje në vend, që lidh aeroportin e Rinasit, portin e Durrësit, dhe bizneset e mëdha të kryeqytetit.

Për momentin kjo pjesë e rrugës ka mbetur në terr, duke u shndërruar jo vetëm në një rrezik për aksidenti, por edhe për krime të ndryshme. Kujtojmë këto disa grabitje të bujshme të miliona eurove të bankave private. 

Dyshohet se grabitësit, mund të kenë përdorur veshje fosforeshente për tu kamufluar si punëtorë të mirëmbajtjes, apo enteve të tjera shtetërore që operojnë në rrugë. Grabitja e kabllit të sistemit të ndriçimit, në rrugën e Rinasit nuk ka ndodhur brenda ditës, po çdo ditë nga pak, çka dëshmohet edhe nga gropat e sapo hapura nga hajdutët.

Me shumë ngjasë kablli është shitur për skrap, ku vetëm vlera e bakrit llogaritet në mbi 6 milion lekë të reja. Kompania thotë se ka nisur të zëvendësojë kabllin e vjedhur, pa një garanci që kablli nuk do të vidhet serish. Nga policia e Tiranës deri tani nuk ka një reagim zyrtar për ngjarjen.

Kujtojmë që kryeministri Rama i mbrojti këto investime luksi para 4 vjetësh duke thënë se kjo rrugë është pasaporta e Shqipërisë. “Të huajt do e kenë kontaktin e tyre të parë nëpërmjet kësaj rruge”, tha atëherë kryeministri Rama. Sot pasaporta imagjinare e kryeministrit është në errësirë të plotë. Kritikët e qeverisë akuzuan atëherë kryeministrin për investime pa vision dhe të padobishme nga ana e efiçensës ekonomike. Tashmë këto investime nuk shërbejnë as për fasadë. Edhe ajo ra.

/TPZ.AL/