TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ndryshe nga një ditë më parë, mazhoranca është mobilizuar për të mbrojtur kolegun e vet, Saimir Tahiri, në seancën e Këshillit të Mandateve. Deputetë të Partisë Socialiste kanë zhvilluar sot një “gjyq publik” ndaj 3 prokurorëve të Krimeve të Rënda, Besim Hadarmataj, Elizabeta Ymeraj si dhe Gentian Osmani.
Ky qëndrim, erdhi menjëherë pas disa deklaratave të forta të Ish Ministrit të Brendshëm, ku paralajmëroi edhe kolegët socialist, se do të vij dita që të hakmerret me ata, që sipas tij i kanë thurrur një komplot.
“Mua më intereson të dali e vërteta. Nëse ka njerëz që janë marrë me këtë histori, do vijë dita që do të merrem unë me ta.”- u shpreh Tahiri, në emisionin “Opinion”.
“Ka deputetë dhe ministra ka PS që e kanë shkelur ligjin” - shtoi më tej, Ish Ministri i Brendshëm.
Menjëherë, socialistët, të cilët deri dje nuk po nxirrnin asnjë fjalë të mirë për kolegun e tyre, sot dolën me “shpatë në dorë”. I pari ishte Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili edhe pse ka një raport tepër të ftohtë me Tahirin, sot ai u rreshtua në mbrojtje të tij, duke sulmuar madje edhe prokurorët.
“Për sa i përket për atë që më pyetët, nëse do më pyesni nga pikëpamja ligjore, , ajo çfarë është shkruar nga prokurorët e Krimeve të Rënda dhe për aq sa unë kam lexuar për Tahirin, nuk është një gjë që shpreh vullnetin e ligjit dhe besueshmërinë në prova. Që do të thotë sipas meje që jemi në rastin ku segmente apo individë të Prokurorisë, po vetë-përdoren politikisht në një çështje apo në një situatë të nxehtë politike”-u shpreh Xhafaj, i cili një ditë më parë ishte i mendimit që duhet të fliste drejtësia dhe jo Ministria e tij.
E njëjta linjë mbrotje, ishte edhe në seancën e Konferencës së Kryetarëve, ku deputetët socialist Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi, tentuan jo pak herë që të vënë në vështirësi prokurorët, duke u thënë se kishin nisur hetimet nga disa materiale të botuara në gazeta.
“Ju keni administruar prova e fakte apo i jeni referuar gazetës?” – u shpreh Manja duke ngritur shpeshherë zërin ndaj prokurorëve.
“Në 18.10.2017 i kemi çuar letër porosi autoriteteve italiane. Dhe kemi një pjesë të materialit kur përfshihet urdhër arresti i personave që kanë të bëjnë me atë dosje. Gjithë materiali është i ardhur në rrugë zyrtare” – u sqarua prokurori.
“Ndërprisni gjyqin ndaj prokurorëve” – kërkoi deputeti Halimi, në seancën e Këshillit të Mandateve.
Në fakt, nëse analizon të gjitha ngjarjet e ndodhura në ditët e fundit, duket si një skenar i mirëmenduar për të mbrojtur Tahirin. Dosja italiane e Habilajve, fillimisht është publikuar në datën 17 tetor, nga një media pranë qeverisë, Top Channel dhe që më pas është përhapur në të gjitha portalet. Kjo ngre dyshimet, se dosja është çuar qëllimisht në media, për të nxjerrë jashtë loje organin e akuzës, që kërkoi një ditë më pas (18 tetor), me një letër porosi, dosjen e plotë nga Gjykata e Katanias në Itali.
Pikërisht me këtë pikë po kapen edhe deputetët socialist, të cilët sulmojnë fort prokurorët duke thënë se organi i akuzës nuk ka hetuar fare më parë, as e ka pasur të regjistruar emrin e Tahirit si person nën hetim, por ka disa konkluzione të dala nga portale dhe gazeta.
Kjo mbrojtje e zjarrtë e deputetëve socialist, duket se është edhe një lëvizje e kryeministrit Rama, për t’i treguar Tahirit, që ne po të mbrojmë dhe se jemi me ty.
Por në fund të fundit, Këshilli i Mandateve, do të votojë për heqjen e imunitetit të Tahirit, pasi në të kundërt do të krijohet një precedent shumë i rrezikshëm…ajo që politikanët janë të paprekshëm edhe nga drejtësia./TPZ.AL/E.H