AKTUALITET, 20 Tetor 2017, 14:20

Mbledhja e Këshillit të Mandateve, a do të dorëzohet "koka e Tahirit"?

 

Ditën e sotme është zhvilluar mbledhja e Këshillit të Mandateve për autorizimin e arrestimit  të Saimir Tahirit, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në mbledhje kanë qenë të pranishëm Saimir Tahiri, prokurorët e çështjes dhe deputetët e opozitës dhe mazhorancës. Kërkesa e prokurorëve që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor, nuk është marrë parasysh dhe është vendosur që vetëm një pjesë e mbledhjes ku do të paraqiteshin këto prova, do të ishte pa praninë e mediave.

Në mbledhje ka patur tension nga të gjitha palët, veçanërisht nga deputetët e mazhorancës të cilët i kanë bërë "një gjyq publik" prokurorëve, duke kërkuar prova por duke mos lejuar largimin e kamerave.

Nga ana tjetër Saimir Tahiri është shfaqur mjaft agresiv dhe ka sulmuar prokurorët.

Pjesë nga mbledhja e sotme: 

Saimir Tahiri: Unë përfaqësohem nga avokati Artan Hajdari, është e nevojshme ta them këtë gjë.

Avokati: Kam disa kërkesa paraprake përpara se të filloj ky shqyrtim. ( i ndërpritet fjala nga Gramoz Ruçi).

Deputetët e Partisë Demokratike nuk e kanë pranuar kërkesën e Tahirit për praninë e avoktatit të tij, duke thënë që ky nuk është një proces gjyqësor.

Prokurori Hajdarmataj: Kemi paraqitur një kërkesë që ditën e djeshme për heqjen e lirisë së deputetit Saimir Tahiri. Kemi paraqitur kërkesë që kjo seancë të jetë me dyer të mbyllura. Kemi ardhur me një kërkesë serioze dhe do të ballafaqohemi. Nuk kemi ardhur për show mediatik apo politik.

Përfaqësuesit e opozitës kanë thënë se kjo është edhe një mbledhje e parlamentit. Alibeaj ka kërkuar që mbledhja të jetë publike, por pë disa pjesë që përbëjnë sekret hetimor, media të përjashtohet.

Nga ana tjetër, deputeti Ulsi Manja, është shprehur se opinioni publik kërkon të dijë faktet dhe provat e prokurorisë. Për provat që prokuroria i konsideron sekret hetimor, mund të kërkohet largimi i mediave. Manja tha se "nuk kemi asgjë për t'i fshehur publikut".

Prokurori Hajdarmataj: Nuk ka asnjë arsye që kjo mbledhje të jetë e hapur për mediat. Ne kemi sjellë dokumenta të rëndësishme. Do paraqesim informacione që vijnë nga institucione ligjzbatuese për aktivitete kriminale.

Vasilika Hysi: Jam dakord që seanca të jetë e hapur për median. Eshtë një çështje sensitive, dhe kërkojmë të bëhet një gjykim në raport me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Prokurori Hajdarmataj: Prokuroria për krime të rënda duke u bazuar në disa informacione të një pjese të strukturave ligjzbatuese në vend, kemi filluar hetimet për kultivimin e narkotikëve nga grupe të strukturuara kriminale.

Një grup personash ku përfshihen edhe vëllezërit Habilaj por edhe punonjës të policisë ushtronin këtë aktivitet të paligjshëm. Kemi kryer veprimet përkatëse në terren. Të përfshirë në këtë aktivitet kanë qenë edhe punonjës policie, që siguronin kushtet që këta persona të kryenin këtë aktivitet.

Gjatë veprimtarisë hetimore kemi mbledhur prova dhe të dhëna për një grup personash për të cilët prokuroria ka marrë masa shtrënguese, ku përfshihen edhe dy punonjës policie të policisë së Vlorës.

Na rezultonte që të përfshirë në këtë aktivitet ishin edhe vëllezërit Habilaj. Kemi dokumentuar që në fshatin Babicë ishin të magazinuara një sasi narkotikësh e përgatitur dhe e bërë gati për tu transportuar.

Kishim informacione se edhe në këtë faze kishte dhe ka ende punonjës policie të përfshirë në këtë aktivitet.

Kur kemi marrë dijeni se shtetasi Moisi Habilaj ishte larguar, jemi informuar se ky person është arrestuar nga autoritetet italiane. Kemi filluar një procedim tjetër kryesisht në lidhje me këtë aktivitet që ka nisur që në vitin 2013.

Kemi regjistruar procedimin edhe për deputetin e Republikës së Shqipërisë, Saimir Tahiri, sepse rezultonte se kishte biseda kompromentuese në lidhje me deputetin Tahiri. Qoftë për pjesëmarrjen në grupin kriminal, por bëhej fjalë për dhënie dhe marrje, që do të thotë jemi përpara veprës penale të korrupsionit.

Ne kishin të dhëna që, këta persona e ushtronin aktivitetin e tyre në qetësi të plotë. Kemi krijuar dyshimin se ishin të ndihmuar nga deputeti Saimir Tahiri. Kemi bërë verifikime që jam i bindur se as autoritetet italiane apo greke nuk i kanë, që ato biseda dhe veprimet që ne kemi kryer, përputhen me njëra tjetrën. Nuk mund ti them të gjitha tani.

Kemi bërë verifikime në sistemin TIMS, dhe na ka rezultuar se Saimir Tahiri në vitin 2013, duke patur në pronësi një automjet të tij, ja kishte shitur shtetasit Artan Habilaj Më pas na ka rezultuar se ky automjet është ripërdorur nga Saimir Tahiri. Deputeti ka udhëtuar kryesisht në Greqi. Kur deputeti ndodhej në Greqi, automjeti është dërguar nga njëri prej vëllezërve Habilaj në Greqi dhe më pas është kthyer Saimir Tahiri me këtë mjet. 

Nga strukturat ligjzbatuese i janë drejtuar policisë së shtetit për këta persona, asnjëherë nuk janë marrë masa ndaj këtyre personave.

Deputeti Saimir Tahiri është i përfshirë në këtë aktivitet. 

Sot nuk kemi ardhur të marrim masë arresti ndaj Tahirit. Kemi kërkuar heqjen e imunitetit, sepse deputeti mund të jetë i ekspozuar ndaj një heqje lirie.

Për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të flas më tepër në prani të medias.

Ulsi Manja: Kam një pyetje për prokurorin. Kërkoni heqjen e imunitetit apo dhënien e autorizimit të arrestit për shtetasin Tahiri?

Prokurori Hajdarmataj: Kërkojmë autorizim për arrestimin dhe heqjen e lirisë së shtetasit Saimir Tahiri. Gjithashtu për kryerjen e kontrollit të banesave që ai ka në pronësi. Duke u ndodhur përpara këtyre situatave kemi kërkuar autorizimin për heqjen e lirisë së deputetit.

Kemi regjistruar një procedim penal të vitit 2017, duke ju referuar të dhënave të bëra publike, për të gjithë personat e përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali. Bashkë me këto emra kemi regjistruar edhe emrin e Saimir Tahirit.

Veprat penale për të cilat akuzohet Saimir Tahiri:

Trafikim i lëndëve narkotike, i kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal 

Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të shtetit.

Alibeaj: A ekziston mundësia që Saimir Tahiri të largohet nga vendi?

Prokurori Hajdarmataj: Sigurisht që i kemi këto dyshime. Kemi filluar një hetim të mbajtur në fshehtësi të plotë. Ka patur implikim të gjerë të policisë dhe kemi patur vështirësi të bëjmë verifikime në terren. Mund të ndodhë që Tahiri t'i shmanget hetimit.

Prokurori Hajdarmataj: Ne jemi duke e vazhduar hetimin ndërkohë. Nuk e kemi ndaluar hetimin. Procedimi është bashkuar me dy procedime të tjera që ne i kishim nën hetim. Ne kemi harmonizuar provat me njëra tjetrën dhe kemi arritur në këtë bindje.

Ulsi Manja: Cilin material keni në dorë atë të gazetave apo të italianëve?

Prokurori Hajdarmataj: Kemi një material të administruar në datë 19/10/2017, i sjellë nëpërmjet prokurorisë së Përgjithshme. Po vazhdojmë përkthimin e këtij dokumenti. 

Ulsi Manja: Ju keni përkthyer atë pjesë të materialit që ka vlerë për hetimin. A jeni në dijeni të ndryshimeve kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi? Kjo letërporosi, a ka kaluar nëpërmjet ministrisë së drejtësisë dhe a ka ardhur në të njëjtën rrugë proceduriale?

Prokurori: Midis Shqipërisë dhe Italisë ekziston një marrëveshje, ku aktet janë dërguar në mënyrë të drejtpërdrejtë në  Prokurorisë së Përgjithshme. Eshtë njoftur Ministria e Drejtësise, por materialet kanë ardhur direkt në Prokurorinë e Përgjithshme.

Manja: A mendoni se me një shkrim gazete, mjafton të kërkohet arrestimi i një qytetari të Republikës së Shqipërisë?

Elizabeta Ymeraj: Prokuroria ka regjistruar procedimin penal. Ka një hetim të shtrirë në kohë për Habilajt dhe bashkëpunëtorët e tyre. Kemi patur nën hetim disa procedime. Kemi prova konkrete që personi nën hetim të dyshohet se ka kryer veprat penale për të cilat po hetojmë. Ekziston rreziku i largimit të këtij shtetasi.

Çuçi: Po përsërisim çfarë është thënë në media. Nuk doli lidhja e Tahirit me dy kriminelë ordinerë. Folët vetëm që Saimir Tahiri ka qenë në Greqi. Është e qartë që nuk jemi në kushtet e flagrancës. Ju kërkoni nga parlamenti, të drejtën për të shkuar në gjykatë, apo doni që menjëherë të bëhet arrestimi?

Prokurori Hajdarmataj: Kemi kërkuar heqjen e lirisë dhe kontrollin e banesës. Do të keni dijeni kur të marrim autorizimin.

Eduard Halimi: A ka mundësi të dëmtohen provat? 

Prokurorja Elizabeta Ymeri: Siç dihet, personi për të cilin kërkojmë autorizimin ka qenë ministër i brendshëm, si rezultat dhe i lidhjeve të tij, ekziston rreziku i pirshjes së provave. 

Vasilika Hysi: Thuhet se Saimir Tahiri ka qenë i shoqëruar në udhëtimet jashtë vendi nga subjektet e tjera (Habilajt). A ka prova për këtë?

Prokurorja Ymeraj: Informacioni që Tahiri ka përdorur mjetin e shitur, ka qenë në dispozicion të prokurorisë edhe më parë por nuk është parë si një provë e shkëputur sepse kjo në vetvete nuk përbën vepër penale, por lidhur me detajet dhe faktet e tjera krijon dyshimi i arsyeshëm për veprën penale.

 

Saimir Tahiri: A keni dijeni që në 11 Shtator të vitit 2014, kam shkuar tek Prokurori i Përgjithshëm, pas deklaratave për përfshirjen e makinës time në aktivitet kriminal. Kam kërkuar hetim dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar hetim për këtë çështje. Keni dijeni për këtë procedim? Kur thoni nuk ka referim nga policia, dhe unë them kam ardhur vetë, e dini këtë? 

Prokurori Hajdarmataj: Po flasim për referime për aktivitet kriminal të disa personave. Ju jeni përfshirë në skandal politik dhe keni ardhur të sqaroni pozitën tuaj. Nuk ka material të referuar nga policia e shtetit, jo nga ministri, për personat konkret (Habilajt). 

Prokurori Hajdarmataj: Nuk jemi në dijeni që ky procedim të ketë shkuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Saimir Tahiri: A është sistemi TIMS sekret? Përse këtë gjë ja keni thënë publikut edhe pse është sekrete, përse provat e tjera sekrete nuk ja thoni publikut?

Prokurori Hajdarmataj: Ne kemi thënë që ju keni kaluar me automjetin tuaj. Nga insistimi i pyetjeve, ne e dhamë përgjigjen. Nuk kemi dhënë detaje, se me kë ke kaluar. Kemi thënë që ke kaluar me filan makinë. Nuk është më sekret të themi këtë gjë.

*Tahiri i ka bërë prokurorëve disa pyetje, të cilave ata nuk i janë përgjigjur sepse sipas tyre nuk u lejohet të kthejnë përgjigje për shkak të sekretit hetimor, por edhe sepse disa pyetje nuk kanë patur lidhje me procesin. 

* Seanca është mbyllur për mediat, sepse prokuroria do të paraqesë prova që përbëjnë sekret hetimor. 

/TPZ.AL /