SPORT, 25 Shtator 2017, 09:51

Rekord negativ i Partizanit, Moxhi ultimatum lojtarëve: Fitoni ose...

Rekord negativ i Partizanit, Moxhi ultimatum lojtarëve: Fitoni ose...

1 pikë në 3 ndeshje. 0 gola në 180 minuta. Vendi i fundit në renditje.

Ky është Partizani “italian” i projektuar për të fituar titullin kampion.

Por, mesa duket vitet e pritjes do të shtohen. Janë 25  të tillë. Nga sezoni 1992-1993. Trajneri i fundit që e ka fituar është Sulejman Starova.

Pikërisht, njeriun që zëvendësoi italiani Mark Juliano.

Tri ndeshjet e para treguan një Partizan tërësisht në krizë, edhe pse në “enturazhi italian” flet për një projekt që, kërkon kohë të zhvillohet dhe ka nevojë për durim .

Këshilltari i presidentit Gaz Demi, italiani Luçiano Moxhi, reagoi ashpër ndaj lojtarëve, pas paraqitjeve aspak bindëse, ku ka stonuar edhe blerja e bujshme: sulmuesi Edgar Çani, për të cilin thuhet se do të paguhet 9 mijë euro në muaj, më shumë se buxheti mujor i një klubi të kategorisë së dytë në Shqipëri.

Për të Kuqtë, që kanë fillimin më të keq në historinë 70-vjeçare të klubit, tani ka nisur numërimi mbrapsht për trajnerin Mark Juliano.

Ose, italiani do të dëshmojë se është i aftë që të menaxhojë një grup lojtarësh të blerë me bujë dhe të prodhojë rezultate, ose shkarkimi i tij është i pashmangshëm.

Dy italianët, paraardhës të tij: Andrea Agostineli dhe Adolfo Sormani e dinë mirë çdo të thotë kjo.